Ndërron jetë ambasadori Prela

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Vladimir Prela është ndarë sot nga jeta në moshën 59-vjeçare. Prela gjendej në banesën e tij kur ka pësuar një infrakt në zemër rreth orës 10.00 paradite, ditën e sotme. Prela ka qenë redaktor i politikës së Jashtme në gazetën "Koha Jonë". Vladimir Prela ka qenë këshilltar politik i Presidentit të Republikës të asaj kohe, Rexhep Meidani, po ashtu ka kryer funksionin e këshilltarit edhe në kabinete qeveritare. Vladimir Prela në vitin 1999 ka qenë i pari përfaqësues diplomatik i Shqipërisë për Kosovën e sapo çliruar nga NATO, menjëherë pas luftës kundër Serbisë. Ndërsa në vitin 2003 Prela u emërua ambasador i Shqipërisë në Maqedoni. Nesër në orën 14.00 zhvillohet ceremonia e varrimit të zotit Vladimir Prela.