Ndërron jetë deputeti i Partisë Demokratike, Gëzim Dibra. Berisha dhe Topalli i shprehin ngushëllime familjes

Deputeti i Partisë Demokratike në Qarkun e Shkodrës, Gëzim Dibra është ndarë sot nga jeta, në moshën 55-vjeçare, si pasojë e një sëmundje të rëndë. Dibra ishte zgjedhur deputet në këtë qark në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009.
Gezim Dibra rrjedh nga një familje me tradita të vjetra në fushën e aktivitetit privat. Ndër biznesmenët e parë në zonën e Shkodrës në fillimet e viteve ’90, dhe me biznesin më të fuqishëm në këtë zonë. Shumë i suksesshëm në krijimin e aktiviteteve private të reja. Mbështetës i vazhdueshëm i politikave të PD, për zhvillimin e biznesit dhe në veçanti për krijimin e vendeve të reja të punës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të deputetit Gëzim Dibra.
“Me dhimbje të madhe dhe hidhërim të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të deputetit Gëzim Dibra. Deputeti Gëzim Dibra ishte një deputet fisnik, me zemër të madhe dhe integritet të lartë. Si përfaqësues i Shkodrës ai punoi me sens të madh përgjegjësie dhe ndershmërie”- thuhet në mesazhin e kryeparlamentares Topalli të publikuar në faqen e Kuvendit.
Gjithashtu Topalli thekson se “në këto momente të vështira për nënën, bashkëshorten, vajzën e vogël 10 vjeçare, familjen dhe miqtë, dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të dashur. Kuvendi i Shqipërisë ka humbur një deputet që dallonte për korrektësinë dhe angazhimin serioz në detyrën e rëndësishme. Të gjithë ne, kemi humbur kolegun e veçantë dhe mikun e mirë. Lutemi Zotit që shpirti i tij të prehet në paqe!”- shkruan kryeparlamentarja Topalli në mesazhin e saj ngushëllues, drejtuar familjes së të ndjerit Dibra. Gëzim Dibra u zgjodh deputet në legjislaturën e fundit dhe ishte anëtar në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisin.
Vendin e deputetit Dibra në Parlament nën siglën e Partisë Demokratike do ta zërë sipas listës shumë emërore të qarkut Shkodër, Ramiz Çobaj.
Kryeministri Berisha: Gëzim Dibra, njeri i mrekullueshëm dhe prind shembullor/Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar dje një mesazh ngushëllimi familjes së deputetit të ndjerë Gëzim Dibra, për ndarjen e parakohshme nga jeta të deputetit të Partisë Demokratike. Deputeti Dibra ndërroi jetë dje, pas një sëmundje të rëndë. Në mesazhin e ngushëllimit, kryeministri Berisha ndan me familjarët e deputetit, hidhërimin dhe zinë për humbjen e tij. “Lajmi i ndarjes nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, Gëzimit, më ka pikëlluar thellë mua, familjen time dhe mbarë Partinë Demokratike. Gëzim Dibra nuk do të jetë më midis nesh, por ai ka lënë për ju, miqtë e tij, Shkodrën qytetin e tij të dashur, Parlamentin e vendit dhe Partinë Demokratike, emrin dhe kujtimin e tij si njeri i mrekullueshëm, prind shembullor, mik i vërtetë, qytetar dinjitoz, biznesmen i talentuar, politikan demokrat dhe deputet i përkushtuar. I lutem Zotit, që shpirti i Gëzimit të gjejë paqen e merituar dhe ju të gjeni forcën shpirtërore për të përballuar këtë zi të rëndë”, përfundon mesazhi, që kryeministri Berisha i ka dërguar familjarëve të deputetit Dibra.