E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërron jetë mjekja dhe veprimtarja Flora Brovina

PRISHTINË, 15 shtator/ATSH/ Ndërroi jetë ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina.

Lajmin e trishtë e konfirmuan familjet Begu dhe Brovina.

“Flora jetoi një jetë të mbushur me dashuri për familjen, për njeriun dhe për atdheun. Si mjeke u shërbeu njerëzve me përkushtim e dhembshuri, ndërsa si poete na la fjalën dhe shpirtin e saj”, thuhet në njoftim.

Brovina ishte mjeke pediatre, poete, veprimtare humanitare dhe politikane, ndërsa për disa mandate ishte deputete e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend.

E lindur më 30 shtator 1949, ajo përfundoi Fakultetin e Mjekësisë dhe u specializua në pediatri. Para angazhimit si mjeke, kishte punuar edhe si gazetare për shëndetësi në gazetën “Rilindja”.

Brovina ishte pjesë e Kuvendit të Kosovës që nga legjislatura e parë, e dalë nga zgjedhjet e vitit 2001. Ajo vazhdoi të ishte deputete edhe në pesë legjislaturat pasuese.

Në korrik të vitit 2014, si deputetja më e vjetër, Brovina kishte kryesuar seancën konstituive të Kuvendit.

Gjatë viteve të nëntëdhjeta ishte aktive në veprimtarinë humanitare dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve. Ajo kishte themeluar Lidhjen e Grave Shqiptare dhe ishte angazhuar në organizimin e protestave paqësore.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, Brovina ishte arrestuar nga forcat serbe dhe ishte dërguar në burg në Serbi. Ajo ishte dënuar nga autoritetet serbe, ndërsa rasti i saj kishte nxitur reagime ndërkombëtare. Më vonë ishte liruar dhe ishte kthyer në Kosovë.

Përveç angazhimit politik dhe humanitar, Flora Brovina njihej edhe për krijimtarinë e saj letrare, veçanërisht në poezi. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›