E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderron jete ne Itali shefi i krimeve te Burrelit Musa Skura

Ndërron jetë në spitalin "Padre Pio" në Foxhia në Itali shefi i krimeve të Burrelit Musa Skura, i cili u plagos në krye të detyrës më 13 janar.
Shefi i krimeve u transferua një javë më parë në gjendje tepër të rëndë, për shkak të dëmtimit të 5 organeve dhe hemoragjisë së brendshme. Lajmi u konfirmua nga familjarët e shefit të krimeve, të cilët bënë të ditur se Skura ndërroi jetë rreth orës 10:30 të mbrëmjes së djeshme.

Musa Skura u plagos mbrëmjen e 13 janarit gjatë një operacioni për arrestimin e anëtarëve të një bande kriminale. Në aksion e sipër, disa persona kanë shkëmbyer zjarr me efektivat blu. Për pasojë u plagos me 1 plumb në gjoks dhe 2 të tjerë në trup 57-vjeçari Musa Skura. Gjithashtu, mbeti i plagosur edhe njëri prej agresorëve, Fitim Alla.

Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën nacionale Burrel-Klos, në afërsi të fshatit Suç të rrethit të Matit. Pak orë pas ngjarjes, forcat policore arrestuan Allën, si dhe Vilson Milkurtin.

Shefi i krimeve të policisë së Burreli u dërgua me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai iu nënshtrua një operacioni që zgjati rreth 6 orë dhe më pas u transportua në spitalin e Foxhias në Itali me një avion të posaçëm.

Por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, Skura kaloi në gjendje kome dhe nuk arriti ta fitonte betejën me vdekjen.

Musa Skura punonte pranë Policisë së Shtetit prej rreth 30 vjetësh. Policia e Shtetit thotë se 57-vjeçari e njihte e dhe organizonte shumë mirë punën që i ishte ngarkuar. Prej gjashtë vjetësh ishte emëruar në pozicionin e shefit të krimeve.

Komisar Skura ka kryer shërbime në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ai është baba i tre djemve, ku më i vogli prej tyre është në klasën e dytë fillore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›