Ndërron jetë në spital avokati Gjovalin Ulndreaj, u ndje keq në sallën e gjyqit

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm njoftoi sot se avokati Gjovalin Ulndreaj ndërroi jetë sot në spital, ndërsa ishte ndjerë keq rreth orës 12:00, në një prej sallave të gjykimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Gjykata njoftoi se avokati anëtar i Dhomës së Avokatëve Shkodër, ishte në sallën ku po zhvillohej një gjykim penal, ku merrte pjesë në cilësinë e mbrojtësit.
Gjatë zhvillimit të gjykimit, avokati ka shfaqur probleme serioze shëndetësore, duke sjellë ndërprerjen e menjëhershëm të procesit dhe dhënien e ndihmës së parë nga personat e pranishëm, deri në mbërritjen e shërbimit të Urgjencës së QSUNT Tiranë.
Në vijim të komunikimit me familjarët e avokatit, u bë me dije se, fatkeqësisht avokati kishte ndërruar jetë në ambientet e spitalit.
Trupa gjyqësore e kësaj Gjykate dhe stafi administrativ, duke vlerësuar kontributin në procesin e dhënies së drejtësisë, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta të afërmve të të ndjerit, avokatit Gjovalin Ulndreaj.
/r.e/