E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërron jetë nga plagët e marra në aksident

Nga Express më 03 shtator 2011 në ora 12:37

Policia rajonale e Pejës ka konfirmuar se ka ndërruar jetë edhe personi i dytë, një fëmijë tetëvjeçar, në aksidentin e rëndë të komunikacionit që ka ndodhur në udhëkryqin Klinë-Gjakovë-Prishtinë.

Në këtë aksident që ka ndodhur të premten rreth orës 03.30, ka humbur jetën një vajzë 14-vjeçare, V.H. nga fshati Uçë i komunës së Istogut. Zëdhënësi për informim në Policinë Rajonale të Pejës, Zeqir Kelmendi ka thënë për Kosovapress se si pasojë e këtij aksidenti dje pasdite ka ndërruar jetë edhe vëllai i V.H., A.H., i moshës tetëvjeçare.

Në këtë aksident lëndime trupore kanë pësuar edhe katër anëtarë të së njëjtës familje, të cilët po udhëtonin në një taksi nga Gjakova për në fshatin e tyre.

Deri tek aksidenti ka ardhur derisa ngasësi i veturës “Mercedes” (taxi) po qarkullonte nga drejtimi i rrugës Gjakovë-Klinë dhe kur arrin në udhëkryqin në fshatin Dollc, kishte humbur kontrollin mbi automjetin dhe është përplasur në një pemë.

Ngasësi i taksisë, I. N. (61) është arrestuar me urdhër të prokurorit, ndërsa rasti do të procedohet nga Njësiti i Hetimeve të Komunikacionit Rajonal në Pejë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›