E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërron jetë pronari i ALSAT, Vebi Velija, ngushëllime nga Berisha

Pas një sëmundjeje të rëndë, ndërroi jetë në moshën 61-vjeçare Vebi Velija, pronar i rrjetit televiziv ALSAT në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë dhe po ashtu pronar i Korporatës Rajonale Ballkanike të Industrisë dhe Konsulencës “Veve Group”, si dhe presidenti i institucionit kulturor “Fondacioni Velija”. Ceremonia e varrimit për presidentin e ndjerë të televizionit ALSAT, z. Vebi Velia u zhvillua dje, në orën 15:00, në fshatin e tij të lindjes, në Gradec të Gostivarit në Maqedoni. Dje, familja e të ndjerit ka marrë një mesazh ngushëllimi nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili u shpreh se “ndarja nga jeta e prindit shembullor, bashkëshortit tuaj të dashur, drejtuesit të talentuar dhe pronarit të televizionit ALSAT, mikut tim Vebi Velija është një humbje e madhe për ju, për botën mediatike dhe afariste shqiptare, për miqtë e tij në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo që ndodhen. Familjes do t’i mungojë njeriu i tyre më i dashur, mediave shqiptare drejtuesi dhe pronari i talentuar i njërit prej televizioneve më të hapura dhe më të çmuara të botës shqiptare, biznesit një përfaqësues i ndershëm, i denjë dhe i shquar dhe miqve një mik i çmuar dhe besnik, të cilin nuk do ta harrojnë kurrë”. Përmes angazhimeve të tij në ekonomi dhe me pjesëmarrjen personale në trupat dhe forumet e shumta rajonale dhe ndërkombëtare ekonomike dhe politike, përmes sistemit të televizionit ALSAT dhe Fondacionit “Velija” për kulturë, 61-vjeçari Vebi Velija në vazhdimësi në dy dekadat që kaluan, kontribuoi për zhvillimin e lirisë, demokracisë dhe bashkëpunimit rajonal në të gjitha sferat në Ballkan. Grupi VEVE, i themeluar nga Velija, në fillim të viteve ’90, u bë një nga kompanitë më të mëdha për tërheqje të investimeve të huaja në Ballkan, sidomos në sektorët e energjetikës, industrisë ushqimore, turizmit, transportit, telekomunikacionit etj. Vebi Velija u lind në vitin 1948, në fshatin Gradec të Gostivarit, në Maqedoni. Ai studioi për ekonomi, ndërsa e nisi biznesin e tij në Kroaci në vitin 1971. Më pas, në vitin 1981, ai i përqendroi bizneset e tij edhe në Vjenë të Austrisë. Ai ka qenë i pranishëm në Shqipëri që në vitin 1990, duke themeluar biznese në fushat e medias dhe telekomunikacionit, industrisë së duhan-cigareve, industrisë së përpunimit ushqimor, shërbimeve financiare, ndërtimtarisë, kërkimit të naftës dhe në sektorin e energjisë. Vebi Velija ishte president i “Veve Group”, themelues i rrjetit televiziv ALSAT në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, dhe president i Institucionit Kulturor “Fondacioni Velija”. Ai ka qenë President i Bashkimit të Industrialistëve dhe Investitorëve të Shqipërisë. Velija themeloi Radiotelevizionin e parë Satelitor Shqiptar, rrjetin televiziv ALSAT, i cili transmeton 24 orë programe në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, si dhe nëpërmjet satelitit në Evropë, Amerikë, Kanada e me gjerë. Televizioni ALSAT u krijua fillimisht në Tiranë si ekrani i parë mbarëshqiptar. Më pas, ALSAT-M mori licencën e parë të një televizioni kombëtar në gjuhën shqipe në Maqedoni, ndërsa një vit më parë u mor edhe licenca e televizionit ALSAT në Kosovë. ALSAT është televizioni që bashkoi të gjithë shqiptarët, ata në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Preshevë si edhe në mbarë botën ku jetojnë. Po ashtu, Velija ishte themelues dhe kryetar i fondacionit “Velija”. Fondacioni u themelua më 13 korrik të vitit 1994 dhe ekziston si shprehje e bindjes së themeluesit të tij se një komb mund të mbijetojë me pak ushqim, por kurrë me pak kulturë. Fondacioni “Velija” është organizatë nacionale jofitimprurëse që funksionon përmes përkrahjes financiare të themeluesit të saj. Fondacioni “Velija” inicioi gjithashtu çmimin vjetor ndërkombëtar “Kadare”. Velija është autor i librave të tillë si “Quo Vadis Albania”, një monografi mbi vizionin e programit për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, apo “Mes ekonomisë dhe politikës”, një përmbledhje diskutimesh, fjalimesh dhe dorëshkrimesh. Mes të tjerash, z. Velija ka qenë gjithashtu anëtar i Bordit Këshillimor të Biznesit në Paktin e Stabilitetit si edhe i Bordit Këshillimor të Biznesit në Iniciativën e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›