E Shtunë, 31 Tetor 2026

Publiku i përqendruar i Piter Brukut



Ese/Si ta shohim teatrin

Dy fjalitë e para në librin “Hapësira boshe” të autorit Piter Bruk, në vetvete përmbajnë një sasi provokuese për të gjithë ata persona që e dinë se çfarë është teatri. “Mund të marr çfarëdo hapësire boshe dhe atë ta shpall të hapur. Mjafton që dikush të bëjë një kalim të vogël në këtë hapësirë boshe, edhe një tjetër ta shikojë – që kjo të cilësohet fillimi i një shfaqjeje”, - thotë Bruk. Sipas tij, duhet të ekzistojë një skenë, pak në distancë me publikun, ku mund të shihen të gjithë aktorët duke luajtur, dhe pastaj, pas përfundimit të shfaqjes, publiku në ndonjë bufe mund ta komentojë shfaqjen në tërësi. Teatri fillon apo lind me dy grupe njerëzish, ku njëri grup merr rolin e aktorëve, ndërkaq tjetri atë të vëzhguesit apo publikut. Teatri fillon nga aksioni i aktorëve e deri tek reaksioni i publikut. Publiku me vëmendjen e tij, krejtësisht të përqendruar, ndikon tek aktori. Piter Bruku i merr disa shembuj në lidhje me këtë: Pjesa nga Ardenovi “Vallëzimi i urdhëruesit Masgrejv” është ballafaquar me kritika të rënda në Paris dhe me një shikueshmëri të zbehtë. Kur është lajmëruar se tri shfaqje do të jepen me hyrje falas, publiku është grindur me njëri-tjetrin, se cili do futet më herët në sallë, dhe aktorët kanë interpretuar në mënyrën më të mirë rolet e tyre. Kur janë ndezur dritat në pjesën e publikut, dhe kanë pyetur se a ekziston ndokush që nuk kishte para të blinte biletën, dorën e ka ngritur vetëm një person. Kurse në pyetjen pse nuk kanë ardhur më herët ta shikojnë shfaqjen, ata janë përgjigjur se,- kritika ka qenë e ashpër ndaj saj duke e cilësuar si shfaqje e dobët.

Ndërkaq, tragjedia e famshme e William Shekspeare “Mbreti Lir” në regji të Piter Bruk, që e ka shfaqur në Budapest dhe në Moskë, është pritur mjaft mirë duke pasur një impakt të madh tek publiku. Ky i fundit pa e kuptuar gjuhën ka marrë me vete tri gjëra: dashurinë e madhe ndaj veprës, urinë e vërtetë ndaj të huajve, dhe një përvojë të madhe aktoreske. Publiku gjatë shfaqjes tregohet se ka qenë mjaft i qetë, dhe i koncentruar në mënyrë maksimale ndaj veprës.

Spektatorët e kanë ndjerë shfaqjen dhe kanë qenë tejet të disiplinuar, sa i përket vëmendjes së tyre. Por, në Filadelfia, kur Bruku e ka dhënë këtë pjesë të Shekspirit, shumë spektatorë e kanë kuptuar gjuhën, ndërsa disa prej tyre nuk kanë zgjuar interesim ndaj veprës. Nëse cilësia e teatrit varet nga publiku, atëherë çdo publik posedon teatrin e merituar. Piter Bruku na sjell edhe disa shembuj të teatrit, në fakt urisë ndaj teatrit, dhe me raste interesante: Në Hamburg, një pjesë e fëmijëve në një klub nate, vështrojnë dy klounë, të cilët nga mbretëresha e qiellit kërkojnë ushqime të ndryshme. Ndërkaq, në një anë tjetër të klubit spektatorët kanë përcjellë katër orë një pjesë që ka si temë krimin dhe dënimin. Nga fjalët që flisnin aktorët, tek secili person janë krijuar fotografi reale në mendje. “Ne kemi qenë si fëmijët të cilët dëgjojnë tregime para se te flenë, dhe në të njëjtën kohë si të rriturit të cilët janë në dijeni për çdo gjë që është duke ndodhur”, - thotë Bruk. Me këtë kuptohet se nevoja e publikut e jep një vlerësim për shfaqjen, dhe pa publik shfaqja do ishte e pamundur, madje do ta kishte humbur edhe subjektin. Nevojitet dëshira dhe përqendrimi mes aktorëve dhe publikut. Publikun Bruku e ndan në dy lloje; ata që duartrokasin dhe ata të qetë, të cilët sjellin me vete qetësinë dhe dalin nga salla me qetësi. Në shfaqjet e Grotovskit publiku ka qenë i qetë dhe shfaqjet kanë përfunduar pa ndonjë duartrokitje. Teatri cilësohet si diçka magjike e gjallë, dhe shfaqja mendohet plot jetë, madje nganjëherë mund të sjellë ndonjë elektricitet të rrezikshëm, të na çlirojë nga shumë gjëra që në vendet e tjera nuk mund t’i përjetojmë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›