E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërron jetë shkrimtari Pano Taçi

Ndahet nga jeta pas një sëmundje të rëndë në moshën 83 vjeçare një ndër emrat e spikatur të letërsisë shqiptare, Pano Taçi. Jeta dhe vepra e Pano Taçit, ka qenë një kalvar i pafund vuajtjesh, burgimesh dhe internimesh.

Ai mbetet një ndër ata poetë që për një periudhë të gjatë ka qenë i privuar nga liria e fjalës dhe mendimit. Ndonëse Pano Taçi ishte pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, ai u burgos që në vitin 1947 dhe deri në vitet 90, në pjesën më të madhe të kohës, ai ka përjetuar përndjekjen dhe persekucionin e diktaturës komuniste.
 

Vetëm pas viteve 90, ai nisi të botojë serinë e veprave të tij poetike, të cilat u vlerësuan lartë nga lexuesi dhe kritika letrare.
Krijimtaria e tij poetike zë një vend të nderuar në vlerat më përfaqësuese të letërsisë shqipe, duke i dhënë kësaj të fundit më shumë identitet dhe fizionomi artistike dhe kombëtare.
 

Edhe pse në poezinë e tij spikatin motivet e mbijetesës nën rregjimin totalitar komunist, fryma humaniste është një dër ato veçori kryesore që përshkon krejt korpusin e tij letrar.
 

Me vdekjen e tij kultura shqiptare humbi një ndër penat më të talentuara dhe letërisa shqiptare një ndër zërat më të veçantë të saj.
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Instituti I të Përndjekurve Politikë, i shprehin ngushëllimet më të sinqerta të afërmve, miqve dhe kolegëve për humbjen e poetit Pano Taçi.
 

Ndërkohë homazhet do të zhvillohen nesër nga ora 10.00 - 11.00 në hollin e Teatrit Kombëtar.
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›