E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ndërtimet pa leje, Berati rrezikon daljen nga UNESCO"

8 korriku i vitit 2008, dita kur qyteti muze i Beratit u pranua në UNESCO, është përkujtuar me një sërë aktivitetesh kulturore, të cilat kanë nisur me konferencën shkencore të organizuar në qendrën kulturore "Margarita Tutulani" të qytetit. Por, pesë vite pas hyrjes në organizatën botërore, vjen edhe alarmi për rrezikun e daljes prej saj. Shkak për këtë po bëhen ndërtimet e shumta pa leje, që po ia zënë frymën qytetit 2500-vjeçar. "Ne duhet t'u lëmë brezave jo kopjen e fotografisë së Beratit, por vlerat reale të tij. Nëse nuk merren masa të menjëhershme, por vazhdohet me degradimin e vlerave, Berati do rrezikohet të përjashtohet nga UNESCO", - ka thënë Pavllo Shkarpa, kryetar i shoqatës "Antipatrea". 

Në fjalën e tij në takim, Shkarpa kritikoi punën e deritanishme të qeverisë qendrore për mungesë të financimit, mungesë projektesh dhe investimi në zonat muzeale e historike. Deri më tani përllogariten rreth 35 ndërtime pa leje në zonën muzeale, për të cilat ndonëse thuhet se janë të trashëguara që nga 1990-ta, datimi i ndërtimit të tyre mbetet i paqartë. 

E ndërsa nga të pranishmit ra në sy mungesa e përfaqësuesve të qeverisë dhe të Ministrisë së Kulturës, konferenca i filloi punimet me fjalën përshëndetëse të kreut të bashkisë, Fadil Nasufi, i cili pasi falenderoi të gjithë kontribuuesit dhe ata që punuan për përgatitjen e dosjes së Beratit për t'u prezantuar në 8 korrik të vitit 2008 në Kuebek të Kanadasë, prej edhe nga u mor vendimi unanim për ta bërë Beratin pjesë të kulturës botërore (Organizata për Edukim, Kulturë e Shkencë) UNESCO. Nasufi u shpreh se: "5 vjet më parë, të gjithë ne e pritëm me gëzim lajmin e shumëpritur të pranimit të Beratit në listën e trashëgimisë botërore UNESCO. Ish-ambasadorja jonë në UNESCO, Tatjana Gjonaj, së bashku me Lorenc Bejkon, ish-drejtor i Institut të Monumenteve të Kulturës, njoftuan nga Kuebeku i Kanadasë vendimin unanim të 21 anëtarëve të trashëgimisë botërore për zgjedhjen dhe pranimin e Beratit si pjesë të trashëgimisë botërore UNESCO, në një 'sit' të përbashkët me Gjirokastrën". Me këtë rast ai ka nënvizuar disa arritje dhe problematika.
Probleme e detyra
"Berati është përfshirë në rrjetin e qyteteve historike botërore, atë europiane të historisë së artit, në rrjetin e qyteteve historike ballkanike, si dhe është pjesëmarrës aktiv në eventet ndërkombëtare, në projektet e përbashkëta dhe veprimtaritë elitare, shkencore e kulturore etj.", tha Nasufi, duke shtuar se ai monitorohet nga ekspertë të IKOMOS dhe UNESCO për zbatimin e masave dhe detyrimeve që duhet të përmbushen. Sipas tij, deri tani janë marrë vlerësime pozitive, por janë lënë edhe detyra për veprime më të shpejta ekzekutive për zonën e mbrojtur, për restaurimet, për ndërtimet pa leje dhe për një plan të bashkërenduar dhe dinamik të ndryshimeve që duhet të realizohen.
Ai theksoi se Berati ka situatë rrezik, për shkak se shumë banesa, ikona dhe vlera të tjera nuk presin më dhe nuk mund të menaxhohen si deri më sot. "Nuk është fjala thjesht për fonde, por për struktura efikase, për përgjegjësi ligjore të qarta. Ajo që mungon sot më së pari është vetëdija institucionale e shtetit dhe nënvlerësimi me apo padashje i çështjeve kaq të rëndësishme të trashëgimisë dhe identitetit tonë kombëtar", deklaroi Nasufi. Sipas tij, Berati është shembulli më domethënës i harresës, i braktisjes dhe i mosmbështetjes në këto 4 vitet e fundit me projekte zhvillimi dhe me financime, qoftë edhe në nivelin e emergjencës për qendrat historike e zonat muzeale nga ana e qeverisë aktuale. 
(e.m/GazetaShqiptare/BAlkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›