Bode shfajëson qeverinë: E ka fajin vendorët për gropën e krijuar në buxhet
Pas akuzave të bëra këto ditë në media se Ministria e Financave po fsheh qëllimisht situatën financiare të qeverisë, ministri në ikje Ridvan Bode ka dalë publikisht për të sqaruar situatën. Si fillim ai ka thënë se ka pasur vonesa në publikimin e të dhënave financiare të korrikut, dhe kjo për shkak se po punohet me sistemin e ri elektronik financiar. Bode tha se ecuria e të ardhurave ka qenë pozitive me 28,3 mld lekë të ardhura, dhe me 27 mld lekë shpenzime, 1 mld më pak se viti i kaluar.
Bilanci 7-mujor
Duke u ndalur në ecurinë e 7 muajve të parë të vitit, në raportin e tij të fundit si ministër i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se për këtë periudhë ka një mosrealizim të të ardhurave prej 11.5 miliard lekësh. Ministri që drejtoi financat shqiptare për 8 vite me radhë ka akuzuar përsëri pushtetin vendor për mosrealizim të ardhurash, që si pasojë kanë sjellë edhe rritjen e defiçitit. Ridvan Bode tha se Qeveria nuk ka abuzuar me buxhetin, por po i dorëzon mazhorancës së re një buxhet që ka respektuar kufijtë e vendosura nga ligji. “100 për qind e asaj që ka ndodhur në ekzekutimin e financave publike është në përputhje të plotë me ligjin. Fakti që në 7 muajt e parë, në një vit elektoral, të mos ketë asnjë lloj devijimi, asnjë lek cenim nga trendi i programuar i buxhetit do të thotë që kapaciteti për të administruar me disiplinë fiskale është në nivelin e duhur”, tha Bode.
Deficiti i pushtetit vendor
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në 7 muajt e parë të vitit, Qeveria e ka shkelur kufirin e programuar të deficitit me 4 miliardë lekë, dhe se për këtë ministri Bode fajësoi pushtetin vendor. “Këto 4 miliardë lekë janë shkaktuar nga deficiti i krijuar nga pushteti vendor, i cili ka realizuar 6.4 miliardë lekë të ardhura në këtë periudhë dhe ka shpenzuar 17.5, një tejkalim prej 11.8 miliardë lekësh”, tha Bode. Por ndonëse formalisht rezulton me një tejkalim prej vetëm 4 miliardë lekësh ndaj planit, Qeveria ka konsumuar gati 80 për qind të shifrës vjetore të defiçitit.
Ezaurohet huamarrja
Kjo për shkak se e ka programuar pjesën dërrmuese të huamarrjes në gjysmën e parë të vitit, duke i lënë Qeverisë që vjen katër herë më pak hapësirë për të marrë borxh. Sipas z.Bode kjo nuk është bërë për qëllime zgjedhore, por se ka logjikë ekonomike. “Kjo është bërë për dy qëllime, edhe për qëllim të menaxhimit më të mirë në blerje të depozitave të qytetarëve të KESH-it për qëllime të mirëfillta të interesit buxhetor që të kemi një kosto sa më të ulët të buxhetit, por e dyta ka një arsye të mirëfilltë ekonomike, që këto para sa më shpejt të investohen, aq më shumë japin impakt pozitiv në rritjen e ekonomisë gjatë vitit, por edhe në taksat që mbledhin në buxhet”, tha Bode.
Shkurtimi i investimeve
Shkurtimi i sforcuar i investimeve ka krijuar një tjetër shqetësim, atë të faturave të papaguara ndaj biznesit. Në lidhje me borxhet që qeveria u ka bizneseve, përsëri Bode nuk dha një shifër konkrete duke ia kaluar stafetën qeverisë që pritet të vijë në shtator. Bode bëri të ditur gjithashtu se gjatë këtyre muajve ka pasur një rritje të vëllimit të investimeve nga 32 miliardë që ka qenë një vit më pare, në 44 miliard duke hedhur poshtë kështu edhe një tjetër akuzë të socialistëve. “Janë 7 miliardë lekë që kanë një vonesë disaditore, kur të ardhurat mujore janë 30 miliardë, 7 miliardëshi do të thotë që ka një diferencë që është 6-7 ditë. Duke qenë se disa shpenzime janë me prioritet, kjo vonesë për këto lloj faturash është edhe më e madhe, sepse pagat, pensionet dhe disa shpenzime të tjera nuk mund të presin, ndodh që kjo kategori të ketë një vonesë dy javore. Në vitin 2005, që nuk kishte as probleme të presionit të krizës globale ka qenë vonesa në muajin shtator, 21 ditë”, tha Bode.
Defiçiti total
Nëse do të llogariten edhe këto detyrime të njohura por të pashlyera shifra e deficitit shkon në 54 miliardë lekë, ose sa 90 për qind e gjithë kufirit vjetor. Kjo do të thotë se për 5 muajt e mbetur, Qeveria e re do të ketë në dispozicion, vetëm 6 miliardë lekë hapësirë për huamarrje ose 10 herë më pak se sa borxhi që mori Qeveria në ikje deri në fund të korrikut.
Të ardhurat nga privatizimet, shpëtimi i buxhetit
Në një kohë kur ekonomia është ndikuar nga efektet e krizës globale dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit nuk janë realizuar sipas planit, të ardhurat nga privatizimet janë konsideruar si i vetmi shpëtim. Gjatë periudhës 7-mujore vetëm nga shitja e pronës publike u arkëtuan 15,8 miliardë lekë, shifër të cilës po ti zbriten rreth 3,5 miliardë lekë, rimbursim i TVSH-së për kompaninë Kurum, arrin në 12,3 miliardë lekë. Në fillim të vitit 2013 u finalizua privatizimi i 4 HEC-eve, nga kompania turke Kurum. Kjo është vlera më e lartë e të ardhurave nga privatizimet gjatë viteve të fundit, pas vitit 2009, kohë kur në buxhetin e shtetit për të njëjtën periudhë u arkëtuan rreth 19.4 miliardë lekë, pas privatizimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Ndërsa gjatë vitit të kaluar u arkëtuan nga privatizimet rreth 702 milionë lekë. Megjithatë, duhet theksuar se këto shifra janë gjithsesi më të larta sesa nivelet e parashikuara në buxhetin e fillimit të vitit. Procesi i shitjes apo dhënies në përdorim të pronës shtetërore, kryesisht në sektorët strategjikë pritet të vijojë pas nisjes nga puna të qeverisë së re. Pritet të shihet se çfarë plani do të zbatojë qeveria e ardhshme për sektorë të tillë si nafta ,energjia apo sigurimet. Por gjithsesi përmirësimi gjithnjë e më shumë i ecurisë së ekonomisë në Europë, mund të ndikojë pozitivisht edhe në rritjen e vlerës së kompanive të këtyre sektorëve, çka do të përkthehej edhe me më shumë të ardhura për ekonominë shqiptare.