E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje po dëmtojnë urbanizmin në Prizren

Qeveria komunale në Prizren nuk po tregon vullnet të mjaftueshëm për të vendosur rend urbanistik në Prizren dhe sipas përfundimeve të Auditorit të Përgjithshëm një gjendje e tillë po ndikon negativisht në urbanizimin e qytetit dhe në buxhetin komunal.

Kështu thuhet në një komunikatë të organizatës “EC Ma Ndryshe”, e cila gjatë muajit gusht ka shqyrtuar çështjen e lejeve të ndërtimit që lëshohen nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, meqë kjo temë ishte prekur në Raportin e fundit të Auditorit për Komunën e Prizrenit, i cili ka konstatuar se Komuna e Prizrenit nga lejet e ndërtimit për periudhën e vitit 2012 kishte planifikuar që të realizoj të hyra në vlerë 800,000 euro, ndërsa kishte arkëtuar 843,346 euro.

Sipas, kësaj organizate, auditori ka testuar 8 mostra në vlerën 274,582 euro dhe kanë identifikuar si mangësi, mos sigurimin e një bazë të plotë të të dhënave për numrin e kërkesave për leje, lejet e lëshuara, dhe refuzimet për vitin 2012; dhe në tri raste kanë konstatuar se komuna kishte lëshuar vendim për ndërtimin e dy kateve, ndërsa inspektorët në terren kanë vërejtur tejkalime në ndërtimin e objekteve dhe janë ndërtuar më shumë kate se sa është përcaktuar me leje ndërtimi.

“Mungesa e një baze të plotë të të dhënave për lejet e ndërtimit, si dhe tejkalimi i kateve të lejuara të ndërtimit, rritë rrezikun që tarifat të mos kalkulohen saktë dhe të kemi një nënpagesë të të hyrave”, është rreziku i identifikuar në Raportin e Auditimit, derisa rekomandohet “Kryetari i Komunës që të krijojë një bazë të saktë të të dhënave se sa ka qenë numri i kërkesave për leje, lejet që janë lëshuar dhe ato që janë refuzuar” dhe po ashtu që “rastet e tejkalimit të ndërtimeve të rishikohen dhe si të tilla ose të ndërpriten ose të paguhen tarifat shtesë”.

Kurse, pas kërkesës për qasje në dokumente, Drejtoria e Urbanizmit, kjo shoqatë është njoftuar se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 DUPH ka miratuar 90 leje ndërtimore dhe ka refuzuar 31 sosh. Ndërsa lidhur me tejkalimet në ndërtimin e objekteve në vitin 2013 DUPH ka theksuar se “nuk është formuar asnjë listë, për arsye se për të verifikuar tejkalimet e objekteve në qytetin e Prizrenit si dhe verifikimin e objekteve ilegale të ndërtuara duhet të formohet një komision”. Gjithashtu sqarohet se formimi i kësaj liste hyn në kompetencat e Drejtorisë së Inspektorateve.

Në bazë të këtyre të gjeturave EC Ma Ndryshe konstaton se Qeveria Komunale nuk po tregon vullnet të mjaftueshëm për të vendosur rend urbanistik në Prizren dhe sipas përfundimeve të Auditorit një gjendje e tillë po ndikon negativisht në urbanizimin e qytetit dhe në buxhetin komunal.

“Në i bëjmë thirrje komunës së Prizrenit që në afatin sa më të shkurtër kohor të reflektoj mbi të gjeturat e Auditorit në lidhje me lejet ndërtimore dhe t’i ndërmarrë veprimet e duhura për zbatimin e rekomandimit të dhënë në këtë drejtim”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo organizatë. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›