E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja plani që do të paqtojë Iranin me Perëndimin

Kombet e Bashkuara i kanë paraqitur dje tre fuqive ndërkombëtare dhe Iranit një projekt, të cilin palët pjesëmarrëse duhet që ta nënshkruajnë brenda dy ditëve të ardhshme. Në të i kërkohet Teheranit që të bjerë dakord për të reduktuar pasurimin e uraniumit, që konsiderohet nga Perëndimi si një rrezik për krijimin e armëve bërthamore. Detajet e tjera të këtij projekti nuk janë bërë të qarta, por ndër to është edhe plani që Irani të pasurojë uraniumin në Francë, ose në Rusi, pra jashtë vendit në mënyrë që situata të jetë nën kontroll të ndërkombëtarëve. Shefi i negociatorëve iranianë, që ndodhet në Vjenë për bisedimet katërpalëshe, nuk bëri ndonjë koment për planin e paraqitur, por nga disa burime të brendshme të pakonfirmuara pritet që Irani të bjerë dakord me këtë marrëveshje. Vendet e tjera me të cilat ai po negocion janë Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtori i Agjencisë së Energjisë Bërthamore, ElBaradei, tha se ai ndihej optimist për faktin se palët do ta nënshkruanin marrëveshjen në afatin e kërkuar. "Në takim të gjithë kanë qenë konstruktivë dhe janë përpjekur që të gjejnë një zgjidhje. Mbi të gjitha më ka bërë përshtypje perspektiva e bisedimeve, e përqendruar jo në të shkuarën, por në të ardhmen. Të gjithë janë përpjekur që të shërojnë plagët e hapura vitet e fundit", ka thënë ElBaradei. Sipas tij, projekti është shumë i arsyeshëm për Iranin dhe paraqet një mundësi të mirë që çështja e ambicies bërthamore të Iranit të përfundojë një herë e mirë në mënyrë paqësore dhe pa sanksione, apo masa të tjera që do të ishin në dëm të të gjithëve. Burime ruse bëjnë të ditur se procesi i propozuar nënkupton dërgimin e uraniumit nga Irani tek Agjencia e Energjisë Bërthamore e më pas prej andej në Rusi, apo në Francë për t‘u pasuruar. Pas këtij procesi uraniumi do të rikthehet në agjenci dhe prej andej do të dërgohet në Iran i gatshëm për t‘u përdorur vetëm për çështje civile për ngrohje e funksione të tjera. Ky proces do t‘i japë mundësi Iranit që të përftojë mjaftueshëm uranium nëreaktorët e tij, por jo aq sa për të prodhuar një armë bërthamore. Kjo metodë i plotëson Iranit nevojën për përdorim të brendshëm, por edhe e mban situatën nën kontroll. Shefi i negociatorëve iranianë foli shumë pozitivisht në lidhje me marrëveshjen dhe dha shpresa se vendi i tij do ta nënshkruante shumë shpejt. Sipas ElBaradeit ka ende shumë detaje teknike që duhen sqaruar, por e rëndësishme është që të bihet dakord në parim për mënyrën e veprimit, pastaj të tjerat do të zgjidhen me kalimin e kohës. "Për të vendosur për të gjitha gjërat do të duhet pak kohë dhe para se të shkojmë te detajet duhet që të biem në një mendje për planin në tërësi", ka thënë shefi i Agjencisë Bërthamore.
Bisedimet mes Iranit dhe tre fuqive ndërkombëtare po zhvillohen në Vjenë, pasi u ra dakord më parë në Gjenevë. Irani ndërkohë ka rënë dakord që të lejojë inspektorët e OKB-së të inspektojnë uzinën e dytë të pasurimit të uraniumit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›