Ndërtuesi, sekuestrohet pasuria 5 milionë USD
Një rrjet i sostifikuar kriminal, me një aktivitet të hershëm në trafikun e drogës, është shkatërruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke vënë në pranga pesë persona. Për një periudhë dyvjeçare, të arrestuarit janë mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim, ndërsa janë monitoruar të gjitha lëvizjet e tyre drejt shtetit italian, ku dyshohet se trafikonin lëndën narkotike. Operacioni i koduar “ndërtuesi” ka vënë në pranga Arben Velikon, Latimir Hoxhën, Panajot Dhiamandin, Sokol Kashtën dhe Orges Jahelezin. Prokuroria thotë se ka dokumentuar vetëm një rast të trafikut të drogës, ku grupi i kryesuar nga Arben Veliko ka dërguar në shtetin italian rreth 12 kilogramë heroinë. Me ndihmën e ndërmjetësit Orges Jahelezi, lënda narkotike i është dorëzuar një shtetasi italian. Ky i fundit, pas verifikimeve të sasisë së mallit, nuk e ka pranuar, pasi ishte e cilësisë shumë e keqe. Veliko ka urdhëruar dy korrierët Julian Kajdo dhe Eduart Toshkollari, për të rimarrë lëndën narkotike dhe sapo e morën në dorë, policia italiane i arrestoi në flagrancë. Ndalimi i tyre është kryer në vitin 2008, ndërsa gjatë kësaj kohe policia italiane dhe ajo shqiptare kanë punuar për identifikimin e grupit kriminal, i cili rezultoi se kishte lidhje të forta edhe me biznesin e ndërtimit në Shqipëri.
Pastrimi i paraveKa dyshime se pesë të arrestuarit kanë pastruar paratë nga aktiviteti i paligjshëm, duke ngritur në Tiranë, Vlorë, Fier e Sarandë pallate e hotele luksoze. Aktualisht, Krimet e Rënda kanë bllokuar një hotel luksoz në Vlorë, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dërguar kërkesa bankave të niveleve të dyta për evidentimin e pasurisë kriminale të të arrestuarve. Sipas informacioneve të mbërritura nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ka rezultuar se shtetasi Arben Vliko është pronar dhe aksioner i disa ndërtimeve në Tiranë e Vlorë, të cilat mund të bllokohen me një vendim të mëvonshëm të Gjykatës së Krimeve të Rënda, në bazë të ligjit të ri “Antimafie”. Mësohet se biznesmenët shqiptarë ishin në listën e shumë të kërkuarve nga autoritetet italiane në hetim për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa përgjimet e karabinierëve kanë sjellë informacione se paratë investoheshin kryesisht në ndërtime. Sipas dosjes italiane, Veliko, i cilësuar edhe si kreu i këtij grupi kriminal, kishte disa biznese në Vlorë dhe Tiranë, ndërsa Latimir Hoxha kishte një biznes në fshatin Mbrostar në Fier, ndërsa ka dyshime se ai zotëron edhe disa ndërtime në qytetin bregdetar të Sarandës, kryesisht pallate e vila. I arrestuarit tjetër, Panajot Dhiamandi, sipas informacioneve të prokurorisë ishte ndërtues në qytetin e Vlorës së bashku me shtetasin Sokol Kashta. Nga përllogaritjet e para të akuzës rezulton se të arrestuarit kanë një llogari prej pesë milionë USD në pallate, troje e llogari bankare, pa përmendur edhe automjetet e sendet e tjera me vlerë që mund të jenë ngritur nga aktiviteti i paligjshëm në Itali.
OperacioniDy ditë më parë, prokuroria urdhëroi arrestimin e pesë personave që merreshin me trafik narkotikësh. Sipas prokurorit Besnik Muçi, hetimet i referohen periudhës kohore të muajit dhjetor 2008, kur disa shtetas shqiptarë në territorin italian, në bashkëpunim me shtetas shqiptarë në Itali, kanë mundësuar trafikimin e sasisë së heroinës prej 11.85 kg. Sekuestrimi i saj u bë i mundur më 17 dhjetor 2008 dhe atëherë policia italiane arrestoi në flagrancë dy shtetasit shqiptarë Julian Kajdo dhe Eduart Toshkollari. “Hetimet për këtë procedim penal kanë filluar në vitin 2008 si një hetim proaktiv, mbi bazën e akteve të veçuara nga një procedim tjetër penal. Për hetimin është bashkëpunuar në Policinë e Shtetit me Drejtorinë Kundër Narkotikëve e Trafiqeve dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale”, tha prokurori Muçi. Sipas tij, operacioni konsolidon bashkëpunimin ndërkombëtar, sidomos me autoritetet italiane. Ndërkohë, në operacion ka dhënë ndihmesën edhe zyra e bashkëpunimit policor italian në Tiranë (Interforcë).
#