Subvencionet e qeverisë çojnë ullirin në Gramsh
Edhe pse Rrethi i Gramshit nuk është më larg se 45 kilometra nga Elbasani, për shkak të kushteve klimaterike, zona nuk njihet për kultivimin e ullirit. Por dy vitet e fundit është vënë re një rritje e interesit të fermerëve të kësaj zone për këtë kulturë. Interesi i fermerëve për kultivimin e ullirit është vënë re që një vit më parë, kur 68 fermerë përfituan nga subvencionet e dhëna nga qeveria. Shefi i Shërbimit Këshillimor pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Neshat Sadiku, ka pohuar se “Fermerët e Gramshit kanë përfituar nga subvencionet e shtetit për mbjelljen dhe kultivimin e drurit të ullirit dhe gjatë vitit 2010, në këtë rreth, aplikuan 50 fermerë, duke shtuar rreth 20 hektarë me ullishtë të re, ku çdo fermer ka përfituar 2.5 milionë lekë të vjetra”. Po sipas Sadikut, “tokat e fermerëve në Rrethin e Gramshit janë të pakta për të mbjellë parcela të mëdha me ullinj, por kjo është parë me interes të madh nga fermerët, pasi ndikon në ekonominë e tyre”. Ndërkohë, nuk është venitur tradita për blegtorinë dhe në rreth numërohen rreth 300 fermerë, të cilët merren me zhvillimin e blegtorisë dhe secili prej tyre mbarështon mbi 100 krerë të imta në vit. Sipas Sadikut, “fermerët e kësaj zone i nxjerrin prodhimet jo vetëm në tregun e Gramshit, por më së shumti në atë të Elbasanit e gjetkë, ku fuqia blerëse është më e madhe”.
#