Apeli për shtëpinë e djegur, mbërrijnë ndihmat për familjen Dyshniku
Gjirokastër –Apelit të botuar përpara disa ditësh në gazetën “MAPO”, nëpërmjet të cilit familja Dyshniku kërkonte ndihmë pas djegies aksidentale të shtëpisë, i janë përgjigjur institucione dhe organizma të ndryshëm në Gjirokastër. Pas djegies së banesës në fshatin “Arshi Lengo”, Gjirokastër në të cilën gjashtë pjesëtarët e familjes Dyshniku jetonin me qira, kryefamiljari Miltiadh Dyshniku nga Berati ka apeluar për ndihmë nëpërmjet një artikulli. Në përgjigje të këtij apeli kanë ndërhyrë për ndihmë Prefektura e Gjirokastrës dhe efektivat e ushtrisë të Komandës së Mbështetjes Rajonale. Pas një urdhri të prefektes së Qarkut, Mimoza Çomo, në bashkëpunim me efektivat e ushtrisë ka nisur largimi i mbetjeve të ndryshme në banesën e shkrumbuar plotësisht nga flakët. Ndërkohë mbështetjen e saj për familjen Dyshniku ka dhënë edhe komuna Antigone. “Me mbështetjen edhe të donatorëve të tjerë në do të bëjmë të mundur ringritjen e banesës dhe sigurimin e një strehe për gjashtë pjesëtarët e familjes Dyshniku”, - thotë kryekomunari Ylli Muho. Nga ana e tij Miltiadh Dyshniku ka falenderuar organizmat dhe institucionet e ndryshme që ndihmuan familjen e tij në këto ditë të vështira pas djegies së banesës nga zjarri.