Ndërtuesit, pas akuzave të Berishës: Deklarata rrënuese. S'jemi mafiozë
TIRANË - Shoqata e Ndërtuesve ka reaguar sot pas deklaratave dhe akuzave të fundit të kryeministrit, që i ka cilësuar ndërtuesit më të mëdhenj në vend, si mafiozë.
"Ne jemi një bashkim vullnetar që s'kemi lidhje me mafian", thotë shoqata, në një reagim për mediat, duke sqaruar se është pro luftës pa kompromis ndaj mafias, korrupsionit dhe çdo veprimi tjetër të paligjshëm.
Sipas ndërtuesve, deklaratat e Kryeministrit janë spekulative dhe me përfitim politik dhe që bien ndesh me punën e ndershme të firmave private. "Pozicionohemi në mbrojtje të lejeve të ndërtimit si i vetmi dokument i patjetërsueshëm që do të duhet të ketë ndërtuesi për të legjitimuar ndërtimin e tij", shprehet shoqata e ndërtuesve.
Ata i kujtojnë qeverisë dhe kujtdo tjetër që mund të ketë dyshime, le t'i drejtohen
prokurorisë, pasi janë të bindur se gjykatat tona janë në gjendje të penalizojnë veprimet e paligjshme.
Ndërsa i bëjnë thirrje Berishës të ndalë sulmet, pasi në këtë kohë krize për likuiditete, bizneset po dëmtohen edhe nga masat e padrejta të pushtetit qendror.
Sipas tyre, situata në sektorin e ndërtimit mbetet problematike, si pasojë e mungesës së likuiditetit por edhe borxheve që shteti u ka. "Pavarësisht faktit se drejtoria e rrugëve ka disbursuar një pjesë të borxheve që na detyrohet, sërish situata e firmave të ndërtimit është problematike"- thonë ata.