Konfindustria, Topit: Mos dekreto ligjin anti-mafia
TIRANË- Vetëm pak ditë pas miratimit të bujshëm të ligjit anti-mafia me votat e mazhorancës në Kuvend dhe propaganduar nga kreu i qeverisë Berisha si shkatërrimtar të kupolës së mafias, Konfindustria i kërkon presidentit, Bamir Topi të mos e dekretojë.
Sipas njoftimit të lëshuar nga konfederata, duhet të jepet koha e nevojshme për përmirësimet e ligjit në fjalë në debate të hapura me grupet e interesit. "Zbatimi i ligjit në gjendjen e tashme institucionale dhe ekonomike të Shqipërisë, rrezikon të ketë pasoja të rënda në -uljen e të hyrave financiare nga emigrantët, -largim të kapitaleve nga vendi dhe sistemi bankar, -ngadalësim të nismave investuese aq shumë të nevojshme për zhvillimin ekonomik afatgjatë dhe përballjes me pasojat e krizës globale financiare."- thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, i është kërkuar zyrtarisht edhe Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryeministrit Sali Berisha, për përmirësimin e ligjit "antimafia" duke shprehur nevojën e ndryshimeve në përmbajtje dhe kryerjen më parë të një amnistie të gjerë fiskale për shqiptarët.
Sipas Konfindustrisë zbatimi i një ligji të tillë në Shqipëri, në një mjedis institucional dhe një realitet ekonomik, që ndryshon krejtësisht nga vendet e BE, mund të sjell pasoja krejtësisht të kundërta.
Me termin 'nivel i pajustifikuar ekonomik', saktëson Konfindustria, mund të shkohet deri aty sa të vihet në dyshim pasuria e një numri prej më shumë se 1.5 milion qytetarësh shqiptarë, që kanë jetuar emigracion prej pothuaj 20 vjetësh dhe që në shumë raste kanë punuar dhe mund të punojnë për arsye të padëshirueshme nga askush në të "të zezë".
Sipas saj, vetëm në Greqi ende sot ka me shume se 320 mijë punëtorë shqiptarë të paligjëruar.
Mbi këtë bazë, sipas antimafias të ardhurat e siguruara në kushtet e mësipërme të punës do të klasifikoheshin 'të paarsyetuara', me tej mund të emërtohen edhe si 'të siguruara në mënyrë kriminale' dhe si rrjedhim duhet të konfiskohen nga shteti.