Ndeshja me Hungarinë, kombëtarja me 4 të dëmtuar
Kombëtarja shqiptare do të shkojë me probleme të shumta në mbrojtje në ndeshjen me Hungarinë ditën e shtunë. Pas Elvin Beqirit, shqetësime kanë ndjerë edhe Dallku e Curri, që janë stërvitur vecmas skuadrës të martën paradite. Ndërkohë, fizioterapisti i ekipit ka bërë të ditur se lojtarët do të rekuperohen në kohë.
TIRANE- Kombëtarja shqiptare është goditur edhe nga dy dëmtime të tjera në prag të ndeshjes me Hungarinë ditën e shtunë. Pas Salihit e Beqirit, probleme ka edhe për Currin e Dallkun, ndonëse në një shkallë më të lehtë. Bëhet fjalë për probleme në thuajse të gjithë repartin e mbrojtjes, ndonëse fizioterapisti i skuadrës Shtijn Van Der Buken ka bërë të ditur se lojtarët do të mund të rekuperohen në kohë për sfidën me Hungarinë. Të katër këta futbollistë janë stërvitur veçmas paradite, ndërsa në seancën e pasdites Curri e Dallku kanë qenë bashkë me ekipin. Lajmi i mirë vjen nga Klodian Duro, që ka nisur stërvitjen me ngarkesë të plotë, duke lënë të kuptohet se e ka kaluar plotësisht dëmtimin e pësuar në ndeshjen ndaj Mançester Sitit tre javë më parë. Sa i përket ekipit, edhe të martën janë zhvilluar dy seanca stërvitore, pasi një pjesë e lojtarëve vuajnë aktivizimin e pakët me ekipet ku luajnë. Ndërkohë, trajneri Ari Han nuk ka pranuar të bëjë thuajse asnjë koment në këto dy ditë të para. Takimi mes Shqipërisë dhe Hungarisë do të zhvillohet të shtunën në orën 19.45 dhe do të gjykohet nga një treshe arbitrash zvicerianë, me kryesor Klaudio Çirketa. (a.r/balkanweb)