Zgjidhet ngërçi në Poloni, qeveria largon administratorin
Presidenti i FIFA-s Sep Blater ka bërë të ditur zgjidhjen e problemeve në futbollin polak, që rrezikoi pezullimin nga aktivitetet ndërkombëtare. Blater deklaroi se palët kanë vendosur të bashkëpunojnë, duke i dhënë fund ngërcit që pati përfshirë Federatën dhe qeverinë e këtij vendi.
POLONI- FIFA është tërhequr nga pozicioni i saj për të vendosur sanksione në adresë të Federatës Polake, pas problemeve të saj me qeverinë e këtij vendi. Duke folur për këtë çështje në Komisionin e Parlamentit Europian në Bruksel, presidenti Sep Blater deklaroi se mes dy insitucioneve është gjetur një zgjidhje. “Morëm një letër nga Ministri i Sportit dhe nga Federata, të cilët do të rinisin bashkëpunimin me krijimin e një grupi të përbashkët”, deklaroi Blater. Sipas tij, Polonia rrezikoi jo vetëm organizimin e Europianit 2012, por edhe pjesëmarrjen në eleminatoret e Botërorit 2010. Problemet në Poloni lindën pasi qeveria vendosi të largojë bordin ekzekutiv të Federatës pë rtë vendosur aty një administrator. Një vendim që qeveria e ka marrë në kuadër të një çështje korrupsioni, por që është konsideruar ndërhyrje e pastër nga FIFA. Qeveria tashmë ka tërhequr administratorin dhe ka rikthyer në punë drejtuesit e bordit, duke rikthyer gjendjen si më parë. (a.r/balkanweb)