Ndezi disa vatra zjarri në Borsh, arrestohet në flagrancë 52-vjeçari

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Një 52-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Himarës, pasi dyshohet se ka ndezur disa vatra zjarri në zonën e Borshit, duke shkaktuar djegien e sipërfaqeve me pyje e kullota dhe rrezikuar një banesë.
Policia e Himarës bën me dije se shërbimet e këtij komisariati kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse, si dhe për kryerjen e veprimeve hetimore për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.
Pranë vatrave të zjarrit, efektivët kanë konstatuar shtetasin D. Z., 52 vjeç, banues në Borsh, i cili dyshohet se kishte ndezur disa vatra zjarri në zonë.
Policia njofton se “si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur sipërfaqe me pyje dhe kullota, ndërsa është rrezikuar edhe një banesë që ndodhej pranë zonës së përfshirë nga zjarri”.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë bënë arrestimin në flagrancë të 52-vjeçarit, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
/e.i/j.p/r.e/