E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ndihemi krenarë për Aleksandrin dhe gjithë efektivin e ushtarakëve tanë në Afganistan”

19-03-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha viziton familjen e Aleksandër Pecit

Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje paradite, familjen e Nëntetarit Aleksandër Peci, efektiv i forcave të kontingjentit “Eagle 4”, i cili u plagos në krye të detyrës, gjatë kryerjes së misionit në Kandahar, Afganistan, rreth një muaj më parë.
Kryeministri ndau me familjarët e tij gëzimin për kthimin shëndoshë e mirë të Aleksandrit pranë familjes dhe shqiptarëve. “Erdha të përshëndes përzemërsisht Aleksandrin, i cili luftoi si luan në përpjekjen në një nga fshatrat e Afganistanit, por luftoi po me kaq heroizëm në të gjithë procesin e mjekimit, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe të shërimit të tij.  Ky është një gëzim shumë i madh për Aleksandrin, për familjen, për miqtë, për bashkëluftëtarët e tij dhe për çdo shqiptarë, të cilët ndihen krenarë me Aleksandrin dhe të gjithë efektivin e ushtarakëve tanë në Afganistan, të cilët operojnë në zonat më të nxehta të planetit, por dhe në misionin më fisnik, atë të paqes dhe ruajtjes së saj”, u shpreh Berisha.
Kryeministri e ka falënderuar Aleksandrin për aktin burrëror që ai tregoi ne Afganistan duke bërë krenar çdo shqiptarë.
“Në Bibël, paqeruajtësit quhen ushtarët e Zotit, në kuptimin që kanë mbrojtjen dhe bekimin e tij. Aleksandri është shembulli më i arrirë. Kaloi një situatë shumë të vështirë, por trimëria, burrëria, kurajoja e tij dhe ndihma e Zotit, bëri që ai të kthehet midis nesh shumë mirë. Ndaj dhe do t’i uroj shumë suksese dhe do ta falënderoj me shumë mirënjohje dhe shumë respekt për  aktin e tij burrëror që bën krenarë çdo shqiptarë”, tha më tej kryeministri.
Ndërsa Nëntetar Peci  nga ana e tij i shprehu falënderimet Kryeministrit Berisha për vizitën, por dhe për interesimin që ai ka treguar që ditën e parë të ngjarjes. Gjithashtu Nëntetar Peci, ka falënderuar edhe gjithë shqiptarët për mbështetjen që i kanë dhënë dhe për solidaritetin e treguar.
Dy ditë më parë komandon shqiptarë e vizitoi edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit falënderoi Nëntetar Aleksandër Pecin personalisht, por edhe në emër të Kuvendit të Shqipërisë për kontributin e tij në kryerjen e misionit me guxim dhe heroizëm.
Nëntetar Peci, i cili u plagos në krye të detyrës gjatë kryerjes së misionit në Kandahar, Afganistan, më 20 shkurt 2012, pas një terapie intensive që iu bë në Spitalin Amerikan të Bazës Ajrore të Bagramit, në veri të Kabulit dhe mandej në Spitalin Ushtarak Amerikan në Landstuhl, në Gjerman, është rikthyer në atdhe katër ditë më pare në gjendje të mirë shëndetësore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›