Gjykata Administrative, Biznesi: Të miratohet sa më shpejt ligji
Komisioni i Ligjeve dëgjesë për projektligjin me grupet e interesit
Sa Gjykata Administrative duhet të ngrihen në tre shkallët e gjyqësorit në gjithë vendin, si do të përzgjidhen gjyqtarët dhe nga sa të tillë duhet të përbëhet trupa e gjykimit të një çështjeje administrative. Këto ishin tre momente kryesore diskutimi gjatë seancës dëgjimore të grupeve të interesit të biznesit apo sistemit gjyqësor në Komisionin e Ligjeve. Ndryshe nga çfarë parashikon drafti aktual, një pjesë e mbrojtësve të interesave të biznesit, por edhe Dhoma e Avokatisë e gjyqtarët kërkuan ngritjen e një kolegji administrativ në Gjykatën e Lartë. Nuk dihet se sa një propozim i tillë që kërkon ndërhyrje në kushtetutë dhe ligjin organik të Gjykatës së Lartë do të merrej parasysh. Dhoma e tregtisë ndërkohë nuk e mbështeti si ide.
Një pjesë e përfaqësuesve të biznesit kërkuan gjithashtu që ligji të parashikojë ngritjen e një gjykate të shkallës së parë, në çdo qendër qarku dhe 3 gjykata apeli në Shkodër Tiranë dhe Vlorë, në ndryshim nga sa parashikohet në draftin aktual, ku përcaktohet ngritja e 6 gjykatave të rrethit dhe një apeli në Tiranë. Por siç vërejti kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, gjithçka duhet të llogaritet në varësi të buxhetit dhe ngritja e Gjykatës nga ana tjetër të mos zvarritet. Sa për kriteret mbi të cilat duhet të zgjidhen gjyqtarët që do të shqyrtojnë çështje administrative, nuk u dol jashtë kuadrit të sistemit aktual të përzgjedhjes së gjyqtarëve, sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, por duke e lënë në dorë të Parlamentit shtimin e kritereve të tjera, për specializim apo mundësinë e përfshirjes së kualifikimit për çështje administrative në shkollën e magjistraturës. Trupa e gjykuese e çështjes sipas grupeve të interesit duhet të jetë sa më e vogël në mënyrë që çështja të shqyrtohet në një kohë të shkurtër dhe cilësore. Pas këtyre dëgjesave, Komisioni i ligjeve nis të martën shqyrtimin nen për nen të projekt- ligjit i cili ka për relator socialistin Armando Subashi.