E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kumbullat” e Ramës dhe e ardhmja e Tiranës

19-03-2012 / Gazeta 55

Tani është e thjeshtë të bëhet bilanci. Qeverisja 11-vjeçare e Tiranës ka qenë një qeverisje private e interesave personale të Edi Ramës, i cili ofroi për publikun vetëm fasadën, një investim që s’prodhonte asgjë për qytetin. Tirana ka nevojë për zgjerim, jo vetëm në hapësirë, por edhe në biznes e në burime njerëzore, por për këtë të ardhme u mundësua të flitet veç pas 8 majit, kur kryeqyteti u çlirua nga diktatura e mashtrimeve e llogjeve, pra, u çlirua nga diktatura e “kumbullave”

Në më pak se një vit nga zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, periudhë që korrespondon me ndryshimin e konfiguracionit në drejtimin e bashkisë së Tiranës, iniciativat dhe ndërmarrjet e lidershipit të ri të kryeqytetit të japin mundësi për të bërë një bilanc. Natyrisht ky bilanc nuk ka kuptim pa një krahasim të rezultateve të kësaj periudhe në më pak se një vit, me 11 vitet pararendës, kur kjo bashki drejtohej nga Edi Rama.
Në më pak se një vit nga zgjedhjet e 8 majit 2011, gjithë qytetarët (jo vetëm të Tiranës), kanë mundësi të shohin e të kuptojnë se kryeqyteti i tyre u është kthyer atyre. Është e tepërt të përmendet Sheshi “Skënderbej”, si “simbolikë” e pengmarrjes së Tiranës nga ish-kryebashkiaku i saj.
Por, më shumë se sa shembulli i Sheshit “Skënderbej”, i cili u është kthyer qytetarëve, është ndryshimi i mentalitetit të qeverisjes së Tiranës, i cili bënë që koha e krahasueshme 11 vjet, me më pak se një vit, të jetë në përpjesëtim të zhdrejtë me rezultatet e prodhuara në këto kohë të ndryshme.
Ndërsa qeverisja 11 vjeçare e Tiranës ka qenë një qeverisje private, e interesave personale të Edi Ramës, qeverisja në më pak se një vit e Tiranës nga Lulzim Basha, ka qenë një qeverisje e cila e ka motivuar dhe e ka justifikuar sloganin e kryebashkiakut të kryeqytetit, “Basha për Tiranën. Tirana është e para”.
Ndërsa qeverisja 11 vjeçare e Edi Ramës, ofroi për publikun vetëm fasadën, një investim që s’prodhonte asgjë për qytetin, qeverisja në më pak se një vit e Tiranës nga Lulzim Basha dukshëm demonstron se projekti për zgjerimin e bulevardit, projektet për zgjidhjen e problemit të transportit e parkimit, problemet me hipotekimin e pallateve e apartamenteve të reja..., etj..., etj..., mjaftojnë për të kuptuar se për sa këto janë probleme të ndjeshme dhe të prekshme për kryeqytetasit, ndërsa kanë marrë rrugën serioze të zgjidhjes së tyre..., vetëm sa për fasadë nuk mund të konsiderohen... Sepse puna sapo ka nisur dhe deri te fasada është ende larg dhe nuk mjaftojnë vetëm “kumbullat e kuqe”..., sikurse bëri Edi Rama në 11 vitet e qeverisjes së Tiranës prej tij.
Por, më tepër se për rezultatet të dukshme, ku ndërtohet e ndryshon pamja fizike e kryeqytetit, Tirana ka nevojë për zgjerim, jo vetëm në hapësirë, por edhe në biznes e në burime njerëzore.
Ndërsa qeverisja 11 vjeçare e Edi Ramës ofroi ndrydhje, ngushtim fizik të Tiranës, deri duke dhënë leje ndërtimi për pallate mi rrugë, ndrydhja dhe ngushtimi i hapësirës për biznese dhe burime njerëzore, shkaktoi po aq dëme, për aq kohë sa bizneset u ndanë në “klientë-deputetë” dhe “gjobë-pagues” të Edi Ramës, ndërsa burimet njerëzore (bie fjala të bashkisë së Tiranës), u shndërruan në protestues pa mëditje, aq sa edhe Fiqiri Xibri nuk kishte ndonjë detyrim ti paguante me “orë-pune” për pjesëmarrjen e tyre në protestat për llogari të Edi Ramës.
Në antitezë të kësaj, në më pak se një vit të qeverisjes së kryeqytetit nga Lulzim Basha, gjërat duken shumë më ndryshe, sigurish edhe shumë më mirë. Ndërsa Tirana ka nevojë për zgjerim, jo vetëm në hapësirë, por edhe në biznes e në burime njerëzore, gjasat janë shumë premtuese, kur gjithkush shikon e kupton, se për këtë të ardhme u mundësua (jo vetëm të flitet, por edhe të filloj e të bëhet realitet) veç pas 8 majit, kur kryeqyteti u çlirua nga diktatura e llogjeve, nga diktatura e “kumbullave të kuqe”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›