Ndihma financiare për Greqinë mund të vijë shumë vonë
Greqia duhet ta marrë ndihmën e premtuar nga BE dhe FMN para 19 majit, datë në të cilën skadojnë bonde të emetuara nga Athina me vlerë të përgjithshme prej 8.5 miliardë eurosh dhe që duhet të rifinancohen, bën të ditur agjencia “Reuters” në një analizë të publikuar dje. “Por zgjedhjet në një shtet të Gjermanisë, koha që nevojitet për të arritur marrëveshjen, si dhe procedurat e miratimit parlamentar të disa prej vendeve të BE-së, mund të sjellin vonesa të dhimbshme”, thotë “Reuters”.
Athina filloi dje bisedimet për kushtet me të cilat FMN dhe BE do të japin 30 miliardë euro borxhe, me interesa më të ulëta nga ato që kërkojnë aktualisht investitorët privatë. Sipas ministrit grek të Financave, Jorgos Papakostantinoi, bisedimet do të zgjasin dy javë dhe marrëveshja mund të firmoset më 15 maj, por kjo do të thotë se paratë mund të vonohen përtej datës 19, kur bondet do të maturohen dhe do të duhet të paguhen.
“Ata janë me të vërtetë ngushtë me kohën. Ata kanë nevojë që paratë të jepen disa ditë para skadimit të bondeve”, komenton Christian Keller, një strateg financiar ndërkombëtar. “Do të jetë shumë mirë nëse Greqia kërkon ndihmën zyrtarisht javën e ardhshme”.
Por më 9 maj, në shtetin e Rhinit-Vestfalisë në Gjermani, do të zhvillohen zgjedhjet dhe elektorati vendës kundërshton ashpër dhënien e ndihmës për Greqinë. Kancelarja Angela Merkel mendon se miratimi i ndihmës para zgjedhjeve mund të dëmtojë partinë e saj. Në këtë rast, rrezikohet që e djathta gjermane të humbasë mazhorancën në Dhomën e Lartë të Parlamentit. Për këtë arsye, Merkel duket se parapëlqen që Greqia të aplikojë për ndihmë pas zhvillimit të zgjedhjeve. Por ky është vetëm një nga problemet. Edhe shumë qeveri të tjera europiane do të duhet të marrin miratimin parlamentar para se të disbursojnë fondet. Në rast se ndihma nuk vjen në kohë, Greqia do të detyrohet të shkojë në tregun ndërkombëtar, por interesat e kërkuara për bondet e saj janë sakaq katastrofale.
“A i keni parë se si kanë fluturuar interesat e borxhit grek gjatë ditëve të fundit”, thotë Simon Tilford, ekonomist i një qendre kërkimore në Bruksel. “Këtu kemi një problem të vërtetë. Mendoj se Greqia mund të tërheqë borxhe në treg ndërkombëtar, por interesat për t’u paguar do të jenë rrënuese”.
Interesat e bondeve dhjetëvjeçare greke u rritën në 8 për qind gjatë ditëve të fundit. Kjo do të thotë se interesi shtesë për t’u paguar këtë vit mund të jetë 1.2 deri në 2.5 miliardë euro, ose të mjaftueshme që Greqia të mos mund të respektojë premtimin për uljen e deficitit buxhetor. Për më tepër, një pjesë e analistëve besojnë se kriza greke nuk do të zgjidhet me ndihmën e BE-së dhe FMN-së. Sipas tyre, herët a vonë, Greqia do të detyrohet të falimentojë dhe të ristrukturojë borxhin e vet publik. Arsyetohet se në kushtet e recesionit, është e vështirë që të ulet borxhi publik, ndërsa aktivizimi politik i sindikatave në Greqi mund të bllokojë çdo reformë.