Skënderbej, Rama: Duhet bashkëpunim

Drejtuesit e automjeteve dje e kanë pasur shumë të vështirë që të shkojnë në kohën e duhur në destinacion. Kjo, për shkak të bllokimit të trafikut në qendër të Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, e ka shpjeguar këtë me faktin se bashkia ka bërë një provë të ndryshimeve të lëvizjes, në drejtimet e rrugëve dhe u kërkon qytetarëve të bashkëpunojnë për të realizuar këtë projekt. Prova nuk është se ka rezultuar efikase, pasi trafiku është bllokuar në të gjitha rrugët e kryeqytetit, duke vënë në dyshim suksesin e studimit të bashkisë për trafikun në rast të bllokimit të sheshit. “Nuk ka mundësi që kjo të realizohet në kohën e duhur, në rast se të gjithë nuk japim pjesën tonë të kontributit duke nisur nga bashkia, qeveria, mediat dhe qytetarët e thjeshtë. Sot është bërë një provë e parë. Kjo situatë nuk mund të ndryshojë duke bërë një ndërprerje të menjëhershme të trafikut, por secili duhet të ndryshojë në mënyrën e lëvizjeve të tij”, u shpreh Rama.
Sipas kryebashkiakut ka një studim të detajuar të trafikut, por kjo “analizë” parashikon se bllokimi do të ndihet vetëm në ditët e para, për sa kohë drejtuesit të orientohen më mirë me ndryshimet. “Duhet të kuptojmë se kemi një sakrificë të përbashkët për të bërë, duke u mësuar të bëjmë lëvizje të ndryshme nga ato të zakontat dhe menaxhim të mirë të kohës”, u shpreh Rama. Kryebashkiaku i Tiranës, së bashku me këshilltarin e Kryeministrit të Kuvajtit Ismail Al-Shatti, i cili ka financuar projektin për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, inspektuan punimet që po kryhen për realizimin e këtij projekti madhor për kryeqytetin. Duke folur mbi projektin e rivitalizimit të sheshit “Skënderbej”, kryebashkiaku Rama sqaroi se “ky nuk është sheshi i një pale, as sheshi i një institucioni siç është bashkia, ky është sheshi i kryeqytetit të të gjithë shqiptarëve dhe për më tepër, kjo është një vepër, e cila është fryt i bashkëpunimit dhe i miqësisë me një vend mik, siç është Kuvajti dhe falë bujarisë së një miku dhe qytetari nderi të Tiranës, siç është Emiri i Kuvajtit”, tha Rama.
#