Meta-Pirinski: Infrastruktura, më shumë bashkëpunim mes vendeve të rajonit
Ministri i Jashtëm, njëkohësisht kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në takimin e zhvilluar me Pirinskin diskutoi për situatën politike në të dyja vendet dhe në rajon. Meta u shpreh se Shqipëria po përparon drejt BE-së, pavarësisht nga kursit politik që ka zgjedhur lidershipi i PS-së. Më tej, Meta dhe Pirinski diskutuan për zhvillimet në rajon dhe nevojën për vazhdimin e përpjekjeve për bashkëpunim intensiv midis të gjitha vendeve të tij. Rëndësi e veçantë iu kushtua projekteve infrastrukturore që lidhin dy vendet, siç është Korridori 8, për të cilin do të zhvillohet edhe një takim i ministrave të Transporteve të rajonit në Tiranë në datat 29-30 prill. Meta dhe Pirinski ranë dakord për forcimin e marrëdhënieve midis LSI-së dhe Partisë Socialiste Bullgare në planin dypalësh dhe në kuadër të Partisë Socialiste Evropiane.