E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dixhitalizimi i adresave, Poni: Rama të zhbllokojë informacionin

Në fundin e muajit prill, maksimumi në ditët e para të majit, duhet të përfundojë procesi i dixhitalizimit të adresave. Limitet janë vendosur prerazi nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Gjatë një takimi të zhvilluar me krerët e pushtetit lokal, Poni theksoi se duhet të përfundojë në kohë puna për zbatimin e projektit të adresave. Zëvendësministri tha se ky proces, i cili asistohet dhe zbatohet nga OSBE-ja, nuk mund të mbahet peng i justifikimeve që jo pak herë ka nxjerrë administrata lokale. Por duke iu adresuar në mënyrë të veçantë kryebashkiakut Rama, numri dy i Ministrisë së Brendshme i kërkoi Bashkisë së Tiranës që të mos bllokojë informacionin për përfundimin në kohë të këtij procesi. S'mund ta mbajmë peng këtë proces për shkak të 30 rrugëve të paemërtuara. Ky proces duhet të mbarojë në fund të prillit dhe fillim të majit. S'dua justifikime pingpongu mes kryetarit dhe këshillave. Bashkia e Tiranës, për shkak të Edi Ramës, ka një bllokim të punës dhe informacionit dhe duhet ta certifikojë materialin në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, - tha ai. Sipas zëvendësministrit Poni, procesi vijon ende të mos jetë i përfunduar në më shumë se 43 bashki e komuna, duke lënë në këtë mënyrë, sipas tij, ende pa një sistem të saktë rrugësh e adresash popullsinë në këto zona. Për numrin dy të Ministrisë së Brendshme, mbyllja e këtij procesi, që nënkupton dixhitalizimin e hartave, kushtëzon edhe procesin e mbipopullimit në territorin e Shqipërisë. Procesi i dixhitalizimit synon krijimin e bazave lokale për çdo njësi vendore të sistemit të adresave që do të jenë lehtësisht të adoptueshme. Këto baza lokale do të integrohen në një sistem qendror, duke krijuar kështu një bazë kombëtare adresash. Më tej, zëvendësministri Poni u shpreh se faza e parë e regjistrimit të adresave do të pasohet nga ajo e regjistrimit të popullsisë. Procesi, i cili mësohet se do të nisë më 15 maj, do të bëjë të mundur që të identifikojë thjeshtësisht qytetarin me adresën e tij përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›