Ndihma sociale, tani edhe me ushqime
Asistenca sociale për më të varfrit, që nga ky vit do të shoqërohet edhe me artikuj ushqimorë. Kjo formë e ndihmës së shtetit për shtresat në nevojë do të funksionojë pas ndryshimeve që po i bëhen ligjit për ndihmën shoqërore. Me gjithë mungesën e opozitës, deputetët demokratë në komisionin Parlamentar të Ekonomisë kanë kundërshtuar dje një prej ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, për “Ndihmën dhe Shërbimet Shoqërore”, i cili konsiston në vendimmarrjen për ndihmën ekonomike nga Inspektorati Rajonal i Shërbimeve Sociale. Aktualisht, vendimmarrja për ndihmën ekonomike familjeve në nevojë merret nga këshillat bashkiak ose komunar. Ndërkohë, që sipas deputetëve demokratë, vendimmarrja aktuale është më e duhura, pasi sipas tyre, Këshilli Bashkiak dhe komunar janë organe kolegjiale dhe përbëjnë një shumicë të caktuar, ndërsa Inspektorati nuk mund të marrë vendime kaq të rëndësishme vetëm me dy inspektorë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale mbrojtën ndryshimin e propozuar, duke e argumentuar me 141 shkeljet që janë bërë, pas monitorimit të vendimeve të marra, në lidhje me ndihmat ekonomike, ndër të cilat janë konstatuar se edhe familjarët e anëtarëve të këshillave bashkiake kanë përfituar nga skema pa e merituar. Efekti financiar për 2011 është 17 mld lekë, 1 mld më shumë se një vit më parë. Në të njëjtën kohë, ndryshimet e propozuara në projektligjin në fjalë mbulojnë shtresat sociale në nevojë, të cilat përveçse shumës monetare që përfitojnë sipas ligjit, do të mbështeten edhe me përfitim mujor në natyrë. Deputeti demokrat, Sherefedin Shehu u shpreh, se rritjen e çmimeve e ndjejnë më tepër këto shtresa sociale, dhe qeveria duhet të aplikojë dhe shpërndarjen e ushqimeve me tollona në ndihmë të tyre. Kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike, sipas ndryshimeve të propozuara në projektligj, do të bazohen në një sistem vlerësimi që i referohen nevojave, duke pasur parasysh përbërjen e familjes, burimet e të ardhurave, si përfitimet e mbrojtjes sociale dhe sipas z.Shehu, ky standard aplikohet edhe në vendet e BE-së dhe SHBA-ve. Ndryshimet në ligjin "Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore" synojnë uljen e nivelit të varfërisë dhe shmangien e abuzimeve, në skemën e përfituesve të ndihmës ekonomike. Ndryshimet parashikojnë përfshirjen e grupeve të reja përfituese të ndihmës, kushtëzimin e të drejtës së përfitimit të ndihmës ekonomike me punë dhe shërbime, si dhe përcaktimin e kritereve që bazohen në një sistem vlerësimi të bazuar në nevoja. Kategoritë e raja që do të përfitojnë sipas ndryshimeve në ligj, janë viktimat e trafikimit dhe viktimat e dhunës familjare. Projektligji parashikon edhe mbështetjen e atyre familjeve, ku bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martese, duke u garantuar atyre mbështetje me ndihmë ekonomike. Duke iu referuar projektligjit, deri tani skema e ndihmës ekonomike është financuar me fondet e buxhetit të shtetit, ndërsa me këto ndryshime është propozuar që ndihma ekonomike të kushtëzohet me pjesëmarrjen në punë apo shërbime, të cilat do të kontribuojnë më shumë në targetimin më të mirë të individëve në nevojë. Gjithë këto ndryshime kanë një kosto financiare 194 milionë lekë. Aktualisht në të gjithë vendin trajtohen më ndihmë ekonomike rreth 85 mijë familje në nevojë.