E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Më hiqni imunitetin, akuzat ndaj meje janë politike

Ish-zv.kryeministri Ilir Meta u paraqit dje në seancë dëgjimore në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, duke konfirmuar vullnetin për heqjen e imunitetit. Meta paraqiti argumentet që, sipas tij, kërkesa e prokurorisë është e pabazuar në fakte dhe prova, por nuk vuri në dyshim vendimmarrjen e Kuvendit për heqjen e mbrojtjes së tij ligjore para drejtësisë. Më poshtë disa prej argumenteve të paraqitura në fjalën e deputetit dhe njëkohësisht kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Argumentet e Metës para Këshillit të Mandateve:

Mbi bazën e kësaj videoje u ndërtua një skenar i tërë dhune dhe përgjakje, që jo vetëm solli viktima, por edhe tronditi imazhin e vendit në botë. Them se kjo është një mbledhje me një muaj me vonesë, për shkak të argumentimeve që ka sjellë Prokuroria e Përgjithshme. Kjo sepse Prokurorja e Përgjithshme, në letrën drejtuar për ju, bazohet vetëm në emisionin Fiks-Fare pra në atë që është transmetuar pa bërë asnjë ekspertizë të vërtetësisë, të saktësisë, të bisedës, të zërave, të shifrave dhe shumë gjërave të tjera të asaj që është apo nuk është një montim televiziv dhe sigurisht edhe në deklaratat e z. Prifti, i cili njihet për deklaratat “serioze” që bën vazhdimisht. Natyrisht që unë jam i zhgënjyer, jo se është kërkuar heqja e imunitetit se e kam kërkuar vetë dhe e kam kërkuar me kohë, unë dhe LSI, që deputetët s’kanë pse të kenë imunitet, por jam i zhgënjyer sepse kërkesa duhet të ishte ndryshe. Kjo nuk është gjë tjetër veçse mungesë serioziteti për zbardhjen e kësaj çështjeje dhe e këtij skandali. Dhe së dyti është në traditën e çështjeve që ngriheshin mbi bazën e nenit 55, për agjitacion dhe propagandë. Unë kam shpresuar se Prokuroria do të sillte prova, për cilindo rast, për fajësinë e Ilir Metës dhe përgjegjësitë ligjore që ai duhet të mbajë para ligjit para shtetit, para opinionit publik, apo për fajësinë e atyre që kanë bërë një montazh, i cili solli një gjakderdhje në këtë vend. Eksperti thotë se “ndërsa aksesova memorien e brendshme të aparatit, konstatova se në aparat kishte qenë një video, e cila më pas ishte fshirë, të cilën unë isha në gjendje ta gjurmoja dhe më pas keni më poshtë informacionin mbi këtë dosje, etj. Unë iu referova mbi këtë video, dhe pashë më pas përmbajtjen, materiali është një tjetër video, pra jo ajo që është parë në emisionet Fiks-Fare dhe “Top Story”, ndërmjet dy burrave që flasin me njëri-tjetrin, por që këtë radhë janë në një vend tjetër. Gjatë kërkimeve të mia konstatova që mjeti, pra ora kishte qenë në shitje në një faqe interneti”. Në ditët e fundit, i kërkuam përveç shumë analizave të tjera teknike shkencore prestigjioze të besueshme të certifikuara nga organet gjyqësore i kërkuam për një ekspertizë akoma më të thellë më të imët teknike dhe shkencore, audio në mënyrë të veçantë, sepse këtu është problemi, sepse nuk është diskutuar ndonjëherë nëse atje është Ilir Meta dhe nëse atje është personi tjetër, i kërkuam një ndër ekspertëve më të njohur në Itali, Dr. Ing. Antonio Federico, i cili brenda 2-3 ditësh ka bërë një analizë shumë të qartë tekniko-shkencore të gjithë materialit filmik, bazuar mbi pyetjet e avokatëve të mi. Relacion paraprak, rezultate të analizës paraprake të sinjalit video të zërit. Në sekondën e 11-të ka ndërprerje, ndërrim skene dhe futje e siglës muzikore. Në minutën 1 e 33 sekonda, ndërprerje, ndërrim skene dhe ndërrim i sinjalit audio, në minutën 3 e 7 sekonda ka ndërprerje e ndërrim skene. Në minutën 3 e 3 sekonda ka filmim, përsëritje. Skena e mëparshme rezulton e përsëritur dhe e mbivendosur për katër sekonda. Në minutën 3 e 18 sekonda, ndërprerje prej tre sekondash, ndërrim i skenës i pajustifikuar shumë i shkurtër. Në minutën 3 e 53 sekonda ndërprerje, ndërrim skene. Në minutën 3 e 47 sekonda ka filmim, përsëritje. Skena e përsëritur është e mbivendosur për 6 sekonda. Në minutën e 4 e 15 sekonda, ndërprerje prej 4 sekondash, ndërrim skene i pajustifikuar shumë i shkurtër. Në minutën 4 e 58 sekonda, ndërprerje, ndërrim skene. Në minutën 4 e 54 sekonda, filmim përsëritje, skena e përsëritur është e mbivendosur për 4 sekonda. Në minutën 5 e 9 sekonda, ndërprerje prej 42 sekondash, ndërrim skenë. Në minutën 7 e 37 sekonda, ndërprerje prej 18 sekondash, ndërrim skene. Në minutën 8 e 7 sekonda, ndërprerje prej 52 sekondash, ndërrim skene. Në minutën 9 e 19 sekonda ndërprerje prej 1 minutë e 25 sekondash, ndërrim skene. 11 minuta e 0.1 fundi i regjistrimit të dy bashkëbiseduesit dalin nga skena. Pra, në pikëpamje të kohës televizive gati më shumë se 1/3 e gjithë kohës është një manipulim i qartë nga ana teknike. Janë heqje, janë vënie, janë mbivendosje të cilat kanë dalë nga gjithë analiza që është bërë në bazë të teknologjisë më të avancuar të kohës. Lidhur me çështjet e tjera, sepse kuptohet këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me dy reshta, këtu është një punë shkencore prej 25 faqesh ku analizohet gjithçka. Analizohet në mënyrë të veçantë edhe skena ku Meta ka thënë se Gimi më ka thënë mua që nga ana ime ke deri në 700 dhe kjo nuk dëgjohet dhe nuk ekziston edhe sipas konkluzioneve përfundimtare. Asnjë nuk e ka dëgjuar këtë gjë, përveç atyre që kanë vënë titrat me qëllim që t’u imponojnë qytetarëve shqiptarë një gjë të pavërtetë dhe shumë e shumë analiza e çështje të tjera të cilat tregojnë në mënyrë flagrante të gjitha ndërprerjet, të gjitha manipulimet që i janë bërë zërave, bisedës zhurmat që janë vendosur e kështu me radhë. Për të ardhur në fund fare te konkluzionet e përgjithshme të këtij eksperti, i cili thotë se ekzaminimet instrumentale të kryera të lejojnë që për momentin të konfirmosh se sinjali audio dhe sinjali video të regjistruar nga një a më shumë mikropërgjues kanë pësuar kalime rihedhje, ngjeshje, prerje e mbivendosje, dhe sipas gjasash edhe procedura të ndryshme. Jam i bindur se kryetari i PS-së dhe persona të tjera do të bëjë çdo gjë që kjo çështje të mos zbardhet. Do të bëjnë çdo gjë që Prokuroria të mos dalë e të thotë nëse Ilir Meta ka kërkuar 700 mijë euro për veten e tij apo në rast se ky është një manipulim, për të siguruar një skenar dhune për të përmbysur nj qeveri legjitime me dhunë. I vetmi favor që do t’ju kërkoja juve zonja Kryetare e Parlamentit dhe kësaj mazhorance është ky: në rast se Prokuroria konfirmon këto akuza mbi të cilat ka ngritur edhe këtë procedim penal, atëherë unë do të kërkoja ta vuaja dënimin në qelinë më të errët, më pa drita, më me lagështirë që ndodhet në Shqipëri.

Ilir Rusmali: Z. Meta nëse ju kujtohet, a e mbani mend ditën që ju keni dal para mediave dhe thatë që po bëjë një hetim me ekspert të huaj?

Unë z. Rusmajli kam bërë publike faktin se kemi bërë disa akte ekspertimi të standardeve ndërkombëtare. Akti i cili unë iu paraqita sot është një analizë shumë e detajuar teknike-shkencore, është i ditëve të fundit, është një përforcim i të gjithë akteve të tjera të mëparshme, por që natyrisht teknologjia e përparuar dhe eksperienca e jashtëzakonshme e profesorit në fjalë është e tillë që më krijon mua mundësitë që të jap Kryetares së Kuvendit, Prokurorisë, apo Gjykatës dhe personi në fjalë është i gatshëm të bashkëpunojë me këto institucione apo organe në të ardhmen dhe pikërisht kjo është një punë shkencore është një doktoraturë mbi bazën e një emisioni. Por të gjitha aktet e tjera konfirmojnë të njëjtën gjë por kjo e konfirmon në mënyrën më të kristaltë sepse e tillë është teknologjia e tillë është eksperienca dhe kjo është firmosur në 12 shkurt.

Ilir Rusmali: PP thotë se nuk ka vënë për ekspertim këtë material. Thotë se ka vënë për ekspertim një video-regjistrim të ofruar nga z. Dritan Prifti, ndërkohë që ju keni kryer video-ekspertimin mbi bazën e atij materiali. Për aq sa ju keni pasur kontakte dhe komunikim me Prokurorinë gjatë kësaj kohe iu është dhenë ndonjë shpjegim pse është bërë ky ndërrim i videove?

Nuk kemi marrë asnjë shpjegim të tillë, në gjithë këtë proces, kam qenë unë personalisht dhe avokatët e mi që kemi qenë shumë të interesuar të bashkëpunojmë, të deponojmë, të provojmë, të konfirmojmë, apo të rrëzojmë vendime të caktuara të marra nga ne, apo nga Prokuroria, apo persona të caktuar për denoncimet përkatëse . Unë po iu them se të gjitha ekspertizat që ne kemi bërë konfirmojnë të njëjtat konkluzione të montimit dhe tregojnë qartë që titrimi është totalisht i manipuluar . Nuk kanë lidhje me bisedën që është bërë por janë thjesht për t’iu imponuar teleshikuesve me titra dhe duke mos treguar të vërtetën e asaj që është thënë.

Damian Gjinuri: Cili është qëllimi i ekspertizës që juve keni ndërmarrë? Që ta kuptojmë të gjithë ne?

Së pari, do të ishte mirë që këtu të kishim përfaqësues të Prokurorisë. Por kjo nuk është në dorën time dhe ndoshta nuk është as në dorën tuaj, nuk e di si veprohet në këto raste. Se çfarë ka bërë Prokuroria ju mund t’i lexoni ato rreshta. Pretendimi im qëndron në faktin se Prokuroria, e cila ka nisur një çështje mbi bazë të një video-përgjimi, të një emisioni “Fiks Fare”. Dhe në studion ku e ka çuar nëse kjo bisedë është autentike, në rast se aferat që përmenden dhe paratë që do të merreshin janë të vërteta, janë autentike sepse mbi bazë të kësaj ka nisur hetimi. Ndërsa ekspertiza që iu kam sjellë është mbi bazë të videos të transmetuar ne emisionin “Fiks Fare”, me atë që ka nisur Prokuroria hetimin dhe në rast se ekzistojnë materialet origjinale të jeni të sigurt se do të ketë akoma më shumë konfirmime të montimeve, të manipulimeve sepse e tillë është teknologjia z. Gjiknuri.

Damian Gjiknuri: Nëse përgjigja që ju keni çuar në Amerikë do të ishte me probleme, pra do të dilte montazh, do të ishit treguar i gatshëm t’iu hiqej imuniteti?

Tani zotëri, meqenëse jeni dashuruar me këtë video dhe me përgjimin e saj, ju dhe të gjithë duhet të kuptojnë që unë këtë çështje, sikur Prokuroria edhe nesër të thotë kjo nuk ishte një provë, unë këtë çështje do ta çoj në gjyq. Dhe me miliona euro, jo me 700 mijë, që përfitohen nga këto procese gjyqësore, znj. Kryetare, do të kërkoja dhe ndihmën tuaj si Kryetare e Parlamentit, të krijojmë një fondacion “Media kundër korrupsionit” me anëtarë nga shoqëria civile, në mënyrë që të edukohen njerëzit dhe vetë gazetat, gazetarët që të investigojnë për korrupsionin, por kurrsesi për të manipuluar opinionin publik dhe për të përdorur televizionet, mediat për të nxitur gjakderdhje përmes skupeve të manipuluara televizive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›