E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihmë për të lënë alkoolin në spital, 30% janë të pasur

Të pasur e të varfër. Mes tyre nuk mungojnë edhe femrat.I bashkon të gjithë i njëjti problem: Janë të varur nga alkooli. Në vendet e tjera kjo varësi konsiderohet sëmundje, tek ne ende një ves jo fort i rëndë. Por pasojat mund të jenë fatale. Prej një viti e gjysmë, janë rreth 180 persona të cilët i janë drejtuar klinikës së trajtimit të vartësive alkoolike në QSUT, për të lënë përfundimisht pijen. Në intervistën e tij për gazetën, mjeku adiktolog Shpëtim Doksani,njëkohësisht shefi i klinikës, bën apel për më shumë ndërgjegjësim për pasojat ndaj alkoolit
Në mentalitetin shqiptar varësia ndaj alkoolit duket se është një problem pa rëndësinë e duhur,një ves jo fort i rrezikshëm, ndërkohë që shifrat janë në rritje nga viti në vit. Mendoni se ka ndryshuar diçka në këtë 1 vit e gjysmë që jeni në krye të kësaj klinike?
Është e vërtetë. Shqipëria është ende larg mënyrës se si vendet e tjera e konsiderojnë varësinë nga alkooli. Në to ky problem trajtohet si sëmundje. Do të thosha se të sëmuresh nuk është turp dhe për ta kapërcyer këtë problem, duhet patjetër ndihmë e specializuar. Mendoj se qindra persona që e kanë, nuk kanë arritur ende të ndërgjegjësohen për këtë pjesë dhe them se pikërisht këtu duhet ndërhyrë. Për fat të keq, sëmundja e vartësisë alkoolike jep tri goditje serioze në shëndet. Së pari, sjell shkatërrimin e shëndetit social, ku bëjnë pjesë raportet familjare e shoqërore. Së dyti, sjell çrregullime të thella të shëndetit mendor (çrregullime ankthi, çrregullime depresive dhe deri në psikozë e skizofreni alkoolike). Së treti, kemi një shkatërrim të shëndetit fiziko-organik, duke nisur që nga sistemi tretës, ai kardiovaskular e respirator. Këto janë goditje fatale, të cilat mund të sjellin pasoja të pakthyeshme në shëndetin e një personi.
Sa persona janë trajtuar që nga hapja e këtij shërbimi dhe cila është grupmosha me e shpeshtë?
Për 1 vit e gjysmë, kemi trajtuar 180 pacientë nga të cilët 142 kanë hequr dorë përfundimisht nga alkooli. Pra, nëse flasim në përqindje, rreth 70% e personave quhen plotësisht të shëruar, por ndërkohë ndiqen në vazhdimësi. Pjesa tjetër ose i janë rikthyer alkoolit, ose janë ende në proces rehabilitimi. Grupmosha më e shpeshtë është ajo aktive 30-50 vjeç. Fakti shqetësues për të gjithë ata që janë ende të varur nga alkooli, na bën të mendojmë sesa deficite krijon kjo kategori në shoqëri, në punë, për të mos lënë pas traumat familjare që u shkaktohen sidomos fëmijëve. Nëse do të bënim një ndarje femra-meshkuj, mund të themi se 90% e personave që kemi trajtuar janë meshkuj.
Ndonëse më të pakta në numër, ju thoni se ka edhe alkooliste femra, janë të prira ato si dhe meshkujt për të marrë trajtimin?
Varësia ndaj alkoolit është një problem, por në momentin kur vendos të trajtohesh nuk ka më diferencë mes sekseve, por ajo që unë do të thosha, është se në dallim nga meshkujt, femrat kërkojnë në klinikën tonë konsulta anonime për alkoolin. Kjo bëhet kryesisht në rrugë telefonike, por nuk është rezultative për shumë arsye, pasi për të dalë nga vartësia duhet të veprohet me të gjitha komponentët. Ajo çka mund të them me siguri, është se femrat kanë frikë se mos paragjykohen, kur arrijnë në këtë fazë.
Kryesisht mbizotëron mendimi se zhyten në alkool personat që kanë probleme ekonomike apo i përkasin një shtrese sociale të varfër; Mund ta konsiderojmë të vërtetë?
Jo nuk është e vërtetë. Gjendja ekonomike dhe probleme të tjera të këtij lloji ndikojnë, por nuk janë faktorë determinantë. Në shërbimin tonë kanë kërkuar ndihmë të specializuar dhjetëra persona që nuk kanë aspak probleme ekonomike, madje do thosha ndër ta edhe persona shumë të pasur. Nëse do të bënim një ndarje në përqindje, 30% e rasteve kanë një status ekonomik financiar të lartë. Rreth 20% i përkasin një statusi ekonomik të mesëm, ndërsa 50% janë pjesë e shtresës së varfër apo me një ekonomi të dobët. Prandaj, në këtë kontekst do të theksoja se nisja e alkoolit shpesh shihet si mjet argëtimi, pastaj kemi një rikthim kur ka një problem. Në tërësi është një zinxhir gjërash që ndodhin me një person, por nuk është faktor determinant, se të jesh i papunë apo i varfër, do të thotë se ke më shumë gjasa të krijosh varësi nga alkooli.
Kur quhet një person i varur nga alkooli, si arrini ti vendosni diagnozën dhe a janë të mjaftueshme kapacitetet aktuale?
Ka një sërë kriteresh klinike, por ata më kryesorët janë: Periudha e konsumit të alkoolit. Një tjetër element që gjykohet nga specialistët është mënyra e konsumit, frekuenca dhe sasia. Kriter tjetër klinik është gama e pasojave negative në shëndetin mendor. Po kështu ka edhe dhjetëra kritere të tjera. Gjithsesi, kryesisht konsumi agresiv i alkoolit për një kohë të gjatë është ai që na ndihmon të bëjmë diferencën. Sa i përket shfrytëzimit të shtretërve, ai është maksimal dhe ne operojmë me prenotime. Mund të them se kemi 10 shtretër, arrijmë ta menaxhojmë por duke ditur se realisht Shqipëria ka një numër të lartë të personave që konsumojnë alkool e rrjedhimisht që krijojnë varësi ndaj tij, them se këto kapacitete duhen zgjeruar më tej. Përkthyer në shifra, realiteti flet për 80% të popullatës në vendin tonë që ka raporte me alkoolin, pra konsumon vazhdimisht në mënyrë të çrregullt. Rreth 40-45% e popullatës kanë raport të dëmshëm të rrezikshëm dhe problematik, çka do të thotë se e konsumojnë vazhdimisht dhe me sasi. Ndërsa 6-7% e popullatës ka vartësi alkoolike.
Sa kohë zgjat trajtimi i personave që kërkojnë ndihmë në klinikën tuaj dhe ku konsiston ai?
Trajtimi zgjat 3 deri në 4 javë. Ai kryhet në disa faza. Faza e parë është detoksikimi i organizmit. Më tej, vijohet me dominimin e krizave të tërheqjes dhe psikoterapinë klinike. Një tjetër hallkë e trajtimit është farmakoterapia mbrojtëse dhe në fund është procesi post-klinik. Të gjitha këto elemente bëjnë që terapia trajtuese të jetë efektive, në pjesën më të madhe të rasteve.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›