Tapet bari si në stadiume për sheshin Skënderbej
Lulishte me tapet bari, njësoj si të stadiumeve në sheshin Skënderbej. Pas monumentit të heroit, ka nisur shtrimi i pjesës së djathtë të lulishtes. Blloqe bari të mbjella që më parë, u shtruan nga punëtorët e Bashkisë, duke i dhënë një tjetër fytyrë kësaj lulishteje për një kohë rekord. Nga sa pohuan burime nga Bashkia e Tiranës, është zgjedhur kjo mënyrë gjelbërimi si më e shpejtë, por nga ana tjetër të njëjtat burime pohuan se kostoja e parcelave të gatshme është disa herë më e lartë se ajo e barit natyral që është mbjellë në lulishtet pranë, qoftë tek Taviani, qoftë në pjesën tjetër të sheshit, pranë Bankës së Shqipërisë. Punimet në shesh po kryhen në disa fronte paralelisht. Kjo do të thotë se për të gjitha ato pjesë ku është e nevojshme të bëhen ndërhyrjet përfundimtare, përfshirë këtu edhe lulishtet, punohet me të njëjtin intensitet si për pjesën tjetër të sheshit, thanë burime nga Bashkia e Tiranës. Ata pranuan se kostoja është disa herë më e lartë se e barit normal, por gjithçka është brenda projektit të rehabilitimit të sheshit Skënderbej. Në ditët në vijim do të përfundojë shtrimi i katër pjesëve të lulishtes. Për një sy të thjeshtë, i gjithë ky vrull në hedhjen e barit të gatshëm pas monumentit të Skënderbeut, kontraston me pjesën tjetër të sheshit, i cili vijon të jetë kantier ndërtimi. Prej dy muajsh, Bashkia e Tiranës ka filluar zbatimin e fazës finale të punimeve nëntokësore në sheshin Skënderbej. Për këtë arsye është devijuar qarkullimi i automjeteve, që bllokon edhe hyrjen në shehshin përballë Bashkisë. Të vetmet mjete që lejohen janë ato të transportit publik.
2 vjet
është kohëzgjatja e projektit për rehabilitimin e sheshit Skënderbej. Punimet kanë nisur vitin e kaluar dhe Bashkia e Tiranës ka premtuar ti përfundojë në kohë.