Berisha: Akuzat ndaj Bashës, si te Shtrigat e Salemit
Kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë akuzat e opozitës ndaj kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, lidhur me pasurinë e tij. Në një intervistë për “abc news”, për gazetaren Sonila Meço, kreu i qeverisë foli edhe për fushatën elektorale dhe marrëdhëniet me kreun e PS-së, Edi Rama.\
Rama ka vënë përballë Tiranës, Kasharin, Dajtin, Krujën e Fushë-Krujën. Ju ka vënë përballë modelin e tij?
Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit e krahason veten me kryetarin e komunës së Kasharit. Nuk mund të krahasosh të pakrahasueshmen. Tirana ka një status tjetër jo në krahasim me komunat, por me qytetet. Të krahasosh modelin e Tiranës me modelin e Farkës del që Farkën ta shpallësh kryeqytet të Ballkanit sepse me të gjithë treguesit, Farka është disa herë më lart. A e dini që në Kashar nuk gjen dot një rrugicë të paasfaltuar? Në Tiranë ka me dhjetëra kilometra të paasfaltuara? Kashari është vetëm një komunë.
PD vjen me një kandidat si Basha për këto zgjedhje për të fituar pas tre mandateve të fituara nga Rama. Pse këtë herë Basha do të bëjë diferencën?
Në historinë e kryeqytetit, Lulzim Basha është kandidati ndoshta me kurrikulën më të plotë për atë vend. Së pari shkon aty si ish-ministër i Punëve Publike në periudhën në të cilën ai ka shënuar arritje të rëndësishme. Basha u ka bërë premtime të mëdha qytetarëve të Tiranës, por absolutisht reale.
Edhe fatura një miliard euro?
Absolutisht reale. Do të realizohet duke bërë fizibël financat e Tiranës. Nëse Tirana bën transparente financat, buxhetin, taksat, do të ketë të drejtë pa pyetur qeverinë, cilindo institucion ndërkombëtar, për kredi. Së dyti, Lulzim Basha ka qenë ministër i Jashtëm. Edhe gjatë fushatës, po të donte, ai ka shumë miq, mund të vinin t’i premtonin qindra milionë, siç ia premtuan për tunelin e Elbasanit dhe ia dhanë. Së treti, Basha shkon për kryetar bashkie pasi ishte ministër i Brendshëm, për pushtetin vendor dhe e njeh shumë mirë decentralizimin.
Si e keni marrë zërin e qytetarëve këtë herë?
Basha ka një avantazh të jashtëzakonshëm, ka pasur fatin që s’e ka pasur asnjë tjetër që të ketë një zë të pavarur intelektualësh, ekspertësh të grupuar në një iniciativë.
Shumë të kritikuar, në fakt…
Në karrierën time politike 20-vjeçare “Iniciativa për Tiranën” është risia absolute më interesante. Ata që mendojnë se kjo është partiake, u them t’i referohen kujtesës dhe po të hyjnë në arkiv, do të gjejnë shumë shkrime kundër meje, por që është normale. Këta janë të gjithë personalitete me një kurrikul të plotë të tyre, janë njerëz të suksesit në fushat e tyre. Krijova KOP-in në 2005-n, por ata ishin ujqërit e rinj që donin pushtet dhe unë ushqeja ambiciet e tyre politike. Të gjithë janë në pushtet ata. KOP-i ishte një mekanizëm me statut partie, por nuk kishin në arkivin e tyre ato që ka “Iniciativa e Tiranës”.
Jeni për ndërtimin e një hapësire argëtimi për fëmijët?
Nuk kam refuzuar asnjë projekt të Edi Ramës, në mënyrë absolute nuk do të refuzoj asnjë projekt të Lulzim Bashës. Ata që mund të më qortojnë për këtë duhet të dinë një gjë, që me ligj zot i territorit është qeveria vendore dhe jo qeveria qendrore. Në momentin që Kryeministri mendon se mund të diktojë zhvillimin e territorit të një qyteti, ai nuk bën gjë tjetër veçse lëshon karrigen e tij dhe ulet si kryetar bashkie. Nëse Basha do të më sjellë mua për anulim jo një, por edhe disa vendime të tjera, unë s’do të kem asnjë hezitim për t’i anuluar ato. Ato vendime janë analoge me vendimet që merr KRRTRSH-ja, i mban për funksionet e ligjit që ka, jo për meritën e studimit të atij territori. Nuk do të ketë asnjë hezitim që unë të anuloj vendimet e mëparshme të KRRTRSH-së mbi bazën e kërkesave të kryetarëve të bashkive.
Edhe barin me të cilin po shtrohet sheshi “Skënderbej” këto ditë?
Ky është bar elektoral. Me atë nuk merrem unë, sepse i kam ndërprerë inaugurimet e mia, me përjashtim të tunelit, që s’mund ta lë pa inauguruar.
Nga PS-ja është aluduar që nëse ka një kandidaturë politike, është ajo e Lulzim Bashës. Ai është akuzuar edhe për çështjen e blerjes së një shtëpie. A është një figurë politike Basha dhe sa do të rëndojnë këto akuza?
Kam ndjekur “Shtrigat e Salemit”. Ajo është një ngjarje reale. Modeli “Basha” është modeli i një qeveritari, i cili në tre misionet më të rëndësishme të kësaj maxhorance ka firmën e tij në Rrugën e Kombit.
Edhe për këtë i akuzuar…
Pa asnjë fakt. Në emër të disa interesave kryekëput antishqiptare. Ato grupe që bënë gjithçka për të bllokuar Rrugën e Kombit janë të gatshëm ta fusin në hell Lulzim Bashën për rolin që luajti. Rruga e Kombit ishte vendim i jetës sime. Isha i vendosur që ajo të bëhej. Basha ka luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në realizimin e atij projekti. Nuk paraqitën asnjë dokument. I vetmi dokument që paraqitën ishte urrejtja, racizmi antishqiptar që shqiptarët të mos e kishin këtë korridor.
Akuzat që i adresohen Bashës do të zhbëjnë të gjitha elementet e favorshme për të drejtuar kryeqytetin?
Nuk ka asnjë bazë në këto akuza. E fundit, të akuzosh tjetrin për një pasuri të deklaruar. Zonja Fatmira Laskaj, ish-kreu i ILDKP-së, ka çuar në Holandë me paratë e taksapaguesve shqiptarë inspektorët e saj në 2006-n për të verifikuar dhe ka gjetur çdo gjë ashtu siç deklarohej. Të gjitha këto, shtabi i zotit Rama i dinte si drita e diellit. Kishte një analogji midis dramës së Artur Milerit dhe disa zhvillimeve rreth selisë së PS-së.
Rama pretendon se transparenca e zgjedhjeve të kaluara nuk u bë, prandaj e ka shndërruar në një betejë politike…
Nuk ka njeri që nuk do t’i fitojë betejat dhe nuk them që nuk dua t’i fitoj betejat me të. Në qoftë se kam fitore të pamerituara, i kam ato me Edi Ramën, sepse e firmos vetë dështimin. Ai ka probleme në çdo qëndrim që stis.
Ai ka fituar gjithmonë…
Asnjë politike. Problemi i tij është ky: sa quan politike Bashkinë, nuk quan politike zgjedhjet e përgjithshme. Cilën garë ka fituar ai? Në krye të PS-së e sollën dy burra: Fatos Nano dhe Sali Berisha. Ky është i vetmi person në Shqipëri që nuk ka njohur një ditë opozitë. E mori zoti Nano nga Parisi, e bëri ministër. Betejat politike ky i firmos mirë para se t’i nisë. Është i vetmi që nuk di kurrë të nxjerrë nga mësimi. Nuk ka njeri që s’gabon, por duhet realizëm.
Do t’ia jepni dorën zotit Rama nëse fiton?
Pyesni zotin Basha. Kjo është betejë lokale. Në 2013-n, ose kur të jenë zgjedhjet e përgjithshme, do ta uroj.