E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihmës dentistet: Mjekët na pushuan nga puna për pazaret me Ministrinë e Shëndetësisë

40 ndihmës stomatologet e pushuara nga puna ngrenë krye në dyert e Vasilit


Janë të gjitha gra, diku rreth të 50-tave dhe të dëshpëruara për pushimin nga puna pa motiv, kanë protestuar e qëndruar në pritje të një takimi për orë të gjata. As më shumë e as më pak, 40 ndihmës dentistet kanë ngritur krye përpara Ministrisë së Shëndetësisë duke reaguar dhe shprehur ditën e djeshme nervozizëm e tension për pushimin e padrejtë nga detyra.

Por edhe pse kanë pritur për disa orë askush nga specialistët e Ministrisë së Vasilit nuk mundi ti jepte një shpjegim se përse ishin pushuar nga puna pa motiv. Ndihmës dentistet të cilat kanë punuar një jetë të tërë duke i kushtuar fëmijëve të shkollave kujdes e duke i shërbyer atyre për 20 vjet me rradhë, janë gjetur papritur në rrugë të madhe. Të kontaktuara ditën e djeshme nga gazeta SOTndihmës dentistet kanë pohuar se janë pushuar pa asnjë paralajmërim nga puna, e pa asnjë letër ku vërtetohej arsyeja apo motive i këtij pushimi. Sipas tyre arsyeja e vërtetë është ajo e cila lidhet me vetë mjekët e shkollave të cilët në mënyrë të papërgjegjshme duan të punojnë vetëm për të kryer kështu edhe pazaret më Ministrinë e Shëndetësisë e cila i lejon këta mjekë të punojnë me mjetet e në dhomat e shtetit në mënyrë private. Në këtë kontekst zëvendës dentistet kanë deklaruar ditën e djeshme se nëse mjekët janë vetëm ata mund të bëjnë më shumë vizita me para në dorë, në klinikat shtetërore të vendosura në shkolla. E si rrjedhojë sipas tyre të mbushin më shumë llogaritë e tyre bankare. Por një tjetër shqetësim për disa prej 40 ndihmës dentisteve është edhe nxjerrja nga puna në prag pensioni pasi kjo gjë i penalizon ndihmës stomatologet me mos përfitimin e sigurimeve shëndetësore. Është turp i madh që të na pushojnë nga puna pa motiv, e për më tepër tani në prag pensioni, ka shumë prej nesh që duan vetëm dy vjet që të dalin në pension dhe me këtë gjë që na bëri Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me mjekët të cilët bëjnë pazare bashkë jemi të rrënuara kështu janë shprehur ditën e djeshme grupi i ndihmës dentisteve të qytetit të qytetit të Lushnjës. Sipas tyre kjo është një shkelje e pastër e ligjit pasi mjekët që janë peronat që bëjnë korrupsion të hapur janë të mbrojtur nga vetë Ministria e Shëndetësisë.


Takimi
Rreth paradites së djeshme një grup përfaqësues i 40 ndihmës infermiereve të pushuara një ditë më parë nga puna, kanë protestuar në heshtje përpara Ministrisë së Shëndetësisë për lënien e detyrës si shkak i një reforme në shëndetësi të njoftuar pak kohë më parë nga vetë Ministri Vasili. Gjatë paradites së djeshme 40 ndihmës dentistet 31 prej të cilave kanë punuar në klinikat dentare në të gjitha shkollat e Tiranës e 9 të tjera kanë punuar në klinikat e shkollave në qytetin e Lushnjës kanë kërkuar që të takohen me një prej specialistëve të ministrisë për të sqaruar edhe motivin e vërtetë të pushimit nga puna. Por edhe pse kanë tentuar të komunikojnë me ndonjë prej zyrtarëve të Ministrisë një takim i shkurtër është realizuar rreth orës 12 të mesditës i cili ka zgjatur pak minuta. Por në një komunikim tjetër gjate paradites së djeshme që kanë bërë zëvendës dentistet me një prej punonjësve tek burimet njerëzore zyrtari nuk i ka marrë për bazë ankesat e ndihmës stomatologeve duke ironizuar faktin se kjo është pjesë e reformës dhe askush nuk ka kohë të merret me këtë gjë. Këtë fakt e kanë deklaruar vetë ndihmës stomatologet ditën e djeshme të cilat fill pas kësaj kanë protestuar ashpër për sjelljen e padenjë të zyrtarit. Prej dy takimeve gjatë ditës së djeshme asnjë konkluzion nuk është nxjerrë, për problemin e pushimit nga puna të pamotivuar të ndihmës stomatologeve të cilat nuk kanë marrë ditën e djeshme asnjë sqarim nga zyrtarët e Ministrisë. Ka qenë rreth 100 ndihmës stomatolog të cilët janë pushuar nga puna ditën e djeshme të cilët për dy ditë më rradhë i janë drejtuar dyerve të ministrisë së shëndetësisë për problemin e tyre. Sipas vetë ndihmës dentisteve, ato janë shkarkuar me pa të drejtë nga puna dhe në njoftimin që u është bërë thuhej se gjithçka ka ndodhur për shkak të një reforme të ndërmarrë. Megjithëse punonjëset e larguara nga puna kanë pasur një takim në ministri ato thonë se nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje. Ndërkohë që burimet tona pranë ministrisë së shëndetësisë thonë se këto largime nga detyra kanë ardhur për shkak të arsimit jo të duhur të tyre. Ndihmës stomatologët janë punonjës të shkollave të ndryshme të Tiranës por edhe të disa qyteteve të tjera të vendit.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›