Letra e ndjesës e Elvis Roshit, e pamjaftueshme, ai s’mund të fillojë punë si kryebashkiak i Kavajës me këtë supermashtrim

Pas prononcimit zyrtar të Policisë së Shtetit, e cila deklaroi se ekzaminimi mjekoligjor ka konstatuar se 28-vjeçarja Griselda Roshi nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë dhe pas rrëfimit të vetë 28-vjeçares pasditen e sotme në Prokurori se e gjithë historia e rrëmbimit dhe e shtatzënisë ka qenë një sajesë nga ana e saj, bashkëshorti, kreu i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, ka kërkuar ndjesë publike për gjithë historinë, e cila sipas tij shokoi gjithë vendin dhe në fund rezultoi e pavërtetë.
Kryetari i bashkisë së Kavajës Elvis Roshi nëpërmjet një letre të hapur në emër të tij dhe familjes Roshi i ka kërkuar ndjesë mbarë opinionit publik për tronditjen që shkaktoi lajmi i bashkëshortes së tij. “Në emër të familjes time, të babait, nënës, vëllait, motrës dhe të afërmve, si edhe në emrin tim personal, i kërkoj ndjesë opinionit publik për tmerrin e lajmit të djeshëm që sot rezultoi i pavërtetë. U kërkoj ndjesë bashkëqytetarëve të mi Kavajas që ndanë me mua dhe familjen orët e mia më të vështira të jetës. U kërkoj ndjesë të veçantë miqve të Partisë Socialiste që nuk u kursyen në solidaritetin me familjen time”, thuhet në letrën e Roshit drejtuar publikut. Ndërkohë Roshi ka falënderuar gjithë instancat të cilat u angazhuan në zbardhjen sa më të shpejtë të vërtetës.
“Falënderoj prokurorinë dhe mjekët e përfshirë në zbardhjen e ngjarjes. Ata bënë gjithçka me shpejtësi, profesionalizëm dhe mirësjellje njerëzore. U kërkoj ndjesë edhe atyre për gjithë atë stres. Falenderoj edhe median për vëmendjen e veçantë. Çdo njeri mund ta kuptojë fare mirë gjendjen shumë të vështirë ku unë vetë ndodhem. E vetmja gjë që premtoj me bindjen më të thellë është angazhimi im maksimal për t’u shërbyer qytetarëve kavajas dhe qytetit tim, me të cilin ndjehem sot në një borxh edhe më të madh”, vijon letrën e tij, kreu i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi.
Pas këtij momenti, kur gjithkush ka arritur të bëjë gjykimin e tij në mënyrë të pavarur, detyrimi moral i këtij kryebashkiaku, është që të mos e fillojë detyrën e re pa dhënë shpjegime të hollësishme se si u stis kjo sajesë dhe kujt do t’i shërbente në të vërtetë. Këtu jemi në kushtet e një skenari të mirë organizuar, por që fatmirësisht dështoi pa korrur rezultatet e synuara, të cilat ishin kryekëput me prapavijë politike.
...