E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katandisja jonë

TIRANE - Mbrëmjen e së hënës pas votimeve, një zonjë banore e Bathores mbërrinte në maternitetin më të madh të vendit me dhimbjet e lindjes. Ajo qysh prej 2002-it është banore e Kamzës, alias Bathore (kish ra prej Kukësi aty). Për çudinë e personelit, atë nuk e shoqëronte as bashkëshorti i saj, as kunata (e cila në kësi rastesh edhe kur është “në thikë e në pikë” me kunatën, për sytë e botës e shoqëron atë). Ishin gjitonë, e më saktë një djalë që rruga i ra andej nga Bathorja me makinë, ata të cilët e sollën në maternitet. Siç është e natyrshme, personeli i pranimit, i kërkoi asaj dokumente, kartën e identitetit, ose pasaportën. Ajo, mes thikëve të lindjes dhe pyetjes më të pafajshme për dokumentin, nuk kishte si të mos ishte tejet e sinqertë. M`i ka marr burri, kartën dhe pasaportën, se ai pasi votuam këtu në bathore, mori vëllain dhe kunatën dhe shkuan të votojnë në...Kukës. I duheshin edhe dokumentet e mia, pasi unë kam të drejtë të votoj edhe atje më tha. Këtu e përfundoi ligjëratën e saj gruaja e pafajshme dhe iu dorëzua menjëherë dhimbjeve, duke klithur, por nën zë, “si burrneshë”.
Vetëm e marta në darkë do ta sillte të dehur nga ahengu i gjatë i “fitores”, “bashkëshortin” e saj dhe “bashkëqytetarin” tonë, të dhënat e të cilit janë lehtësisht të gjetshme e të verifikueshme, në librin e lindjeve të maternitetit, më datën 9 maj në darkë.
Zonja lindi mirë e bukur, në duart e hajthme por të sigurta të mamive, të cilat sot e të paktën 25 vjet rresht, bëjnë po këtë punë. Pra, zonja kreu tri detyra “si një shqiptare e vërtetë” brenda harkut të 24 orëve. Votoi në Bathore, votoi në Kukës (duke nisur letrat me bashkëshortin), por lindi edhe fëmijën, në maternitet, shëndoshë e mirë si molla...
Është thënë e stërthënë nga të gjithë ata që merren me analiza dhe me artin e fjalës, se në të keqen nuk e kemi tek votimet, por tek numërimet. Por nëse përjashtojmë disa dhjetëra mijë votues-fantazmë që u bënë “banorë” të Tiranës në adresa garazhesh dhe servisesh makinash, nëse përjashtojmë edhe trimoshat që shkuan pasi votuan këtu në adresat e vërteta e reale, “sipër, ke votra e të parëve” për të krye adetin, falë qetësisë dhe paqës që po ashtu si në 2009-ën mbretëruan ditën e zgjedhjeve, qëndron pohimi i mësipërm. Madje duhet thënë për hir të së vërtetës, se ky popull të cilin delexhinjtë e sollën në këtë farë derexheje, edhe i sfilitur siç është, prapë në tërësinë e vet, demonstron kulturë, për çudi kulturë qytetare, njësoj si në vendet e Europës ku duam të shkojmë e kushedi se kur do arrijmë.
Gardianët me frak...
Teksa shikonte njeriu ambasadorin Arvizu (me llërët ç‘përveshur) dhe gjithë të tjerët këta të Europës deri në orët e vona pasmesnate, por edhe në mëngjes në orën 08:00 kur prisnin të paraqiteshin në punë komisionerët partiakë, thoshte me vete: të shkretët këta, ç‘borxh kanë të vuajnë për ne, ç‘i kanë bërë perëndisë? Në të vërtetë ata e kishin dhe e kanë një borxh. Sepse e gjithë gjella politike e gatuar në 20 vite rresht në këtë vend, të gjithë “këta farë burra shteti” në njërën mënyrë ose në tjetrën, mbajnë edhe vulën e tyre. Ashtu siç meritë e tyre është edhe numërimi i kryer, ashtu siç u krye. Sepse po të qe për pushtetin që vendos çorape në kokë në mbrëmje dhe del për gjah...votash, kushedi se ç‘rrugë do të merrnin gjërat. Pra, në një farë mënyre ata paguan me stërmundimin e tyre, haraçet e prapambetura të politikës së paraardhësve të tyre, krijesë e të cilëve është kjo karakatinë që quhet shtet shqiptar. Ata në mënyrë të dhunshme na futën në NATO, pasi ne nuk e meritonim, e kjo nuk kërkon shpjegime, duke ndjekur katandisen tonë të këtyre dy viteve. Sa i takon Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ato e patën merituar anëtarësimin në NATO qysh në vitin 2005, vit kur vetë gjenerali i NATO-s në stërvitjen e madhe shumëkombëshe që u zhvillua në vendin tonë, u vendosi distinktivin e Aleancës. Është tjetër punë se si i ka katandisur ushtarakët tanë politika e “udhëheqjes civile” në 11 vitet e fundit, madje me ligj, me famëkeqin ligj “mbi pushtetet dhe autoritetet e komandimit në FA”. Edhe pse të denigruar (me ligj të lutem), ushtarakët tanë kanë mundur të ruajnë dinjitetin dhe integritetin e tyre. Shkurt, një vendi që nuk mund të bëjë votime të pakontestueshme, nuk i takon karrige në Aleancë. Prandaj është më së paku pafytyrësi e politikës shqiptare, mburrja se...” ne jemi anëtarë të NATO-s”.
Edi Rama për hir të së vërtetës, në këto votime ishte i detyruar jo thjesht të konkurronte me Lulëzim Bashën. Atij i duhej të përballej me pushtetin më saktë me ngrehinën, që pretendon të quhet edhe shtet, ngrehinën që me taksat e shqiptarëve kryen edhe detyrime shteti, me detyrën e tij si kryetar i partisë socialiste, me votuesit-”banorë” efemerë-sipas profesor Kambos, por edhe me klasën e miliarderëve “socialistë” që i mbanin leksione “ex katedras”, të cilët për Edi Ramën “kishin ikur në...drejtim të paditur”.
Demokracia jonë alibike...
Për dy vjet rresht, ky vend është i mbërthyer në krizën më të keqe të mundshme politike, krizë e cila nga pushtetarët anashkalohej e mbiquhej “ngërç”. Sot, për fat, ja ku i kemi të dyja bashkë: ngërçin dhe krizën të pleksura në mënyrën më të keqe dhe më tragjike që mund të ndodhë në një vend. Ylli i përdhosur keqazi në të gjithë këtë histori, është sovrani siç e quajnë kur duan t`i nxjerrin gjuhën mender politikanët tanë. Ai shkon për të votuar me qetësi, pasi i kanë premtuar se vota e tij do të lexohet hapur, para kamerave dhe monitorëve të shtrenjtë të blerë po me lekët e tij. Por djallëzia fshatarake dhe makutëria bajraktarase e politikanëve shqiptarë, ia hedh edhe mjeteve më të sofistikuara që shpiku elektronika. E bën këtë në të tillë mënyrë, saqë fyen jo vetëm mendjet e ndritura, që shpikën aparatet në majat e Informatikës, por edhe ndërdijën e një njeriu mesatar, me një logjikë të zakonshme. Kështu, e në këto forma, “me tagrin e ligjit, e në emër të tij” pavarësisht se si quhen marionetat partiake Ristanër apo kushdo çfarë, realizohet mrekullia që vetëm shqiptare mund të jetë, për turpin tonë, si në asnjë pikë tjetër të globit. Thënë shkurt “Ti fitove, por unë do t`ia jap këtij tjetrit”. Kështu e vetëm në këtë mënyrë, demokracia jonë mjerane mbiquhet e është në fakt demokraci alibike. Sinkronizimi i pëllejshëm i juntave më të errëta që ka njohur historia e Europës, përmes parullave të ëmbla me emërues të përbashkët fjalën aq të pështirë në realitetin e këtij vendi, fjalën demokraci, me logjistikën më të sofistikuar të ditëve tona, kanë sjellë një gjendje të cilën nuk mund ta përkufizosh veçse me një fjalë: katandisje. Të 800 votat e pavlefshme që u gjetën, tregojnë se ende paska në administratën shtetërore, njerëz nga klasat e përmbysura. Këta të shkretë, meqenëse ua kërkonin votën të fotografuar në celular, e bënë foton, por e hodhën në kutinë e gabuar, të mos i shkonte atij që i duhej pushtetit. Kjo tregon se falangat e Balliut nuk e kanë kryer mirë detyrën, e se duhet të thellohen akoma më shumë për të zbuluar armiqtë në gjirin e partisë që mëton të quhet edhe shtet. Prandaj, Fariu tanimë duhet ta mprehë shpatën edhe më mirë, e kjo do të ndodhë me siguri. Mirëpo, ai që bën kotruven di t`i verë edhe...veshët. Se çfarë veshësh do t`i vihen kotruves më datën 3 qershor, kurrkush s`mund ta thotë, por duke parë se ç`ndodh, prej “balte” të keqe do të jenë veshët, e me shumë gjasa kotruvja mund të bjerë e të thyhet.. Kandidati Basha duhet ta shkruajë në cv-në e tij, në historikun e fëmijëve e të familjes së vet, se dikur pati nderin t`i drejtohej personalisht vetë Ismail Kadareja me një letër të hapur. Kuptohet që atij nuk i mungon intelekti ta çmojë këtë, por e shtrëngojnë në fyt keqazi; si sponsorët e tij të fushatës, ashtu edhe ati i vet shpirtëror t`i përgjigjet në atë mënyrë të padenjë Kadaresë, se gjoja....do të fyente votuesit dhe komisionerët etj si këto...
Kontradiktat që në vendin e shqipeve sjellin në përballje termat boshe liri, barazi (para ligjit), tallja me demagogjinë e njohur të së drejtës së votës, kontradiktat mes miliarderëve që të paktë i kanë shokët në Ballkan, por edhe në Europë, miliarderë që ua kanë kaluar edhe vetë sponsorëve të tyre, Udb-së, Asfalisë, por edhe KGB-së, kontradikta mes shtetit dhe njeriut, e cila në këtë vend është në Zenit, na bëjnë ne sot, jashtë thonjëzave, delen e zezë të Europës, madje të të gjithë botës. Qoftë e fundit, kjo katandisje!
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›