Ndizet Drita
Më në fund, Drita është zgjuar nga gjumi. Klubi gjilanas po këndellet, pas një krize financiare, e cila ishte shkaktuar pas largimit të disa donatorëve me të përfunduar kampionati i fundit. Mirëpo, donatorët sërish iu rikthyen klubit bardhekaltër dhe menjëherë angazhuan trajner të ri.
Këtë detyrë ata ia besuan trajnerit të njohur kosovar, Arbnor Morina. Ky i fundit me gjilanasit ka arritur marrëveshje njëvjeçare, por me mundësi të vazhdimit të bashkëpunimit.
“Kam pasur ofertë financiare më të mirë sesa që ma ka bërë Drita. Por, këtë klub e konsideroj si më me traditë në futbollin kosovar, i cili ka një publik fantastik dhe vendosa që karrierën ta vazhdoj te Drita”, deklaroi Morina për Express.
Në Gjilan ai do ta nisë punën menjëherë të hënën, derisa pret që kryesia e klubit ta furnizojë me ‘armë’ për edicionin e ri.
“Përgatitjet do t’i nisim të hënën, sepse veç jemi vonuar. Por, në Dritë nuk janë më 6-7 lojtarë të rëndësishëm. Komplet mbrojtja nuk është më, por nuk ka as mesfushor të mjaftueshëm e sulmues. Megjithatë, me ata lojtarë që kanë mbetur, do t’i nisim përgatitjet dhe gradualisht do të shohim se ku kemi nevojë më shumë për t’u përforcuar dhe besoj se kryesia do të sjellë lojtarë të rinj”, theksoi ai.
Morina i tregoi edhe synimet e tij që i ka për edicionin e ri me Dritën, e cila në një pjesë të madhe të kampionatit të kaluar shkëlqente në Superligën e Kosovës, por kah fundi e humbi hapin nga lufta për titull të kampionit.
“Synimi kryesor është të luajmë lojëra sa më të mira. Këtë e duan tifozët e Dritës. Ne jemi të interesuar ta komponojmë sa më mirë ekipin dhe të bëhemi konkurrues dhe të fortë në Superligë”, përfundoi ish-trajneri i Hysit e Kosovës së Vushtrrisë.