Sheikët ‘luajnë’ futboll

Klubet evropiane të futbollit tashmë janë nën varësinë e sheikëve arabë. Paris Saint-Germain dhe Manchester City janë shembulli më i mirë për këtë. Klubi francez dhe ai anglez kanë bërë shpenzime marramendëse në tregun e transferimeve dhe e gjithë kjo në një moment kur kontinenti i vjetër është mbërthyer nga kriza financiare.
Por, të kthehemi më mbrapa. Biznesmeni egjiptian Mohamed Abdel Moneim Fayed bleu skuadrën angleze Fulham më 1997 dhe arriti ta rikthejë atë në Premierligë më 2001 dhe deri në finalen e Europa League më 2010. Por, ai kurrë nuk shpenzoi “shifra marramendëse”, duke qëndruar i përmbajtur në investimet e tij.
Në mënyrë të ngjashme, sheiku Mansour bin Zayed Al Nahyan bleu Manchester Cityn më 200 dhe gjatë këtyre katër viteve ka shpenzuar 1.1 miliardë euro për blerjen e futbollistëve, pagat e tyre dhe shërbime të tjera. Gjithçka filloi me Robinhon, për të cilin City i pagoi Real Madridit 43 milionë euro.
Më pas te Citizens mbërritën Sergio Aguero, David Silva, Adebayor, Nasri dhe Mario Balotelli për pagat e të cilëve sheiku Mansour shpenzoi 360 milionë euro. Këta futbollistë i ndihmuan skuadrës që në sezonin kaluar të fitojë titullin e kampionit në Premierligë, për herë të parë pas 44 vitesh pritjeje.
Shembulli i dhënë nga City bindi erdhe shumë sheikë të tjerë të përfshihen në futbollin evropian. Më 2010, sheiku Al Thani bleu klubin spanjoll Malaga për 36 milionë euro. Më 2011 një tjetër anëtar i familjes Al Thani nga Katari bleu Paris Saint-Germainin dhe ia besoi udhëheqjen e klubit Nasser El Khelaifit për 100 milionë euro.
Së pari erdhi Leonardo, në rolin e drejtorit sportiv e më pas filluan blerjet e mëdha. Kompania pronare Qatari ‘Sports Investment’ ka shpenzuar 200 milionë euro për blerjen e futbollistëve. Gjithçka filloi verën e kaluar, kur PSG siguroi shërbimet e mesfushorit Javier Pastores për 43 milionë euro, ndërkohë që në janar mbërritën edhe Thiago Mota, Jeremy Menez dhe Maxwell.
Kjo vijoi edhe në verën e këtij viti kur 30 milionë euro i shkuan Napolit për Ezequiel Lavezzin dhe 62 milionë euro u derdhën në arkat e Milanit për Ibrahimovic e Thiago Silvën. Skuadra udhëhiqet nga trajneri i mirënjohur italian, Carlo Ancelotti. Inkuadrimi i sheikëve në futbollin evropian u shtua më herët gjatë këtij muaji, në fakt para pak ditësh.
Nottingham Forest, skuadër dy herë kampione e Evropës, por që sezonin e ardhshëm do të garojë në ligën e tretë angleze është në duart e familjes Al Hasawyi. Tifozët kanë filluar të ‘ëndërrojnë’.