E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjekje penale numëruesvetë votave në KZAZ-të e Lezhës

TIRANE - KQZ-ja ka vendosur sot të çojë për kallëzim penal, kryetarin dhe anëtarët e KZAZ-së nr.13 të Lezhës për abuzimet me numërimin e votave në zgjedhjet e 23 Qershorit. Komisionerët Hysni Osmanaj e Klement Zguri të KQZ-së kanë kërkuar që anëtarët e komisioneve që kanë bërë shkelje, të ndiqen penalisht dhe të mos jenë më anëtarë në zgjedhje të reja.

Zguri ka shtuar se jo vetëm numëruesit, por edhe vëzhguesit duhen penalizuar, edhe përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore që pranuan shifrat e gabuara. Madje, ai sulmoi edhe Kolegjin Zgjedhor, që sipas tij, "jep një lloj amnistie dhe numëron votat. Veprimi i Kolegjit ishte i kundraligjshëm, sepse gjykoi një vendimi që u mor nga një strukturë tjetër zgjedhjesh", - tha ai duke dalë në konkluzionin se gjithë "sistemi mbetet korruptiv."

Pas diskutimeve, 4 anëtarët e KQZ-së miratuan vendimin "Për kallëzim penal ndaj personave të ngarkuar me administrimin e procesit të votimit dhe numërimit të votave të cilët kanë shkelur dispozitat e Kodit Zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23 Qershor 2013".
 
Gjithashtu, po sot, KQZ-ja shqyrtoi edhe: regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë “Partia Kristian Demokrate” për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në dy njësi të qeverisjes vendore të datës 01.09.2013"; regjistrimin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të komunës Dardhas, Qarku Korcë dhe komunës Rrethinat, Qarku Shkodër, që do të zhvillohen më datë 01.09.2013"; miratimin e modeleve të kandidimit, që do të përdoren në disa njësi të qeverisjes vendore, që do të zhvillohen më datë 01.09.2013"; miratimin e modeleve të dokumenteve që do të përdoren nga grupi i numërimit dhe komisioni i zonës së administrimit zgjedhor për nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve të pjesshme për kryetar të komunës Dardhas, Qarku Korcë dhe komunës Rrethinat, Qarku Shkodër, të datës 01.09.2013"; miratimin e modelit të fletës së votimit për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të komunës Dardhas, Qarku Korcë dhe komunës Rrethinat, Qarku Shkodër, që do të zhvillohen më datë 01.09.2013" si dhe përcaktimin e sasisë së fondit publik që përfitojnë partitë e regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet për Kuvend të datës 23 Qershor 2013".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›