Ndodh dhe kjo! Tentuan të kontrabandonin mbi 2 mijë milingona nga Kenia, arrestohet kinezi dhe ndihmësi i tij

Një shtetas kinez dhe bashkëpunëtori i tij kenian e kanë pësuar keq, duke përfunduar pas hekurave, pasi janë vënë nën akuzë për tregti të paligjshme të specieve të egra. Autoritetet në Kenia zbuluan një tentativë për të kontrabanduar më shumë se 2,000 milingona mbretëreshë të gjalla jashtë vendit.
Sipas hetimeve, Zhang Kequn u arrestua në aeroportin ndërkombëtar në kryeqytetin Nairobi, pasi në bagazhin e tij u gjet një sasi e madhe insektesh, të fshehura në epruveta dhe të mbështjella me peceta për transport.
Ndërkohë, Mwangi përballet edhe me një akuzë të dytë, pasi në një rast tjetër iu gjetën milingona të gjalla në posedim. Të dy të pandehurit kanë deklaruar pafajësi, ndërsa avokati i Zhang ka pretenduar se klientët e tij nuk ishin në dijeni se po shkelin ligjin dhe kishin synim të përfitonin ekonomikisht nga shitja jashtë vendit.
Çështja pritet të rikthehet në gjykatë më 27 mars, ndërsa hetimet vijojnë. Zyrtarë të Shërbimit të Jetës së Egër të Kenias kanë paralajmëruar se mund të ketë arrestime të tjera, pasi dyshohet për një rrjet më të gjerë të mbledhjes dhe trafikimit të milingonave në disa qytete. Ky nuk është rasti i parë i tillë në vend. Në maj të vitit të kaluar, një gjykatë keniane dënoi katër persona me burg ose gjobë për përpjekje të ngjashme për kontrabandimin e mijëra milingonave mbretëreshë drejt tregjeve ndërkombëtare.