Shtohen edhe 12 shtete në listë, SHBA kërkon 15 mijë $ garanci për të marrë një vizë

Administrata amerikane ka vendosur një masë të re që detyron qytetarët e disa vendeve të depozitojnë deri në 15 mijë dollarë garanci për të marrë vizë hyrjeje në Shtetet e Bashkuara.
Sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit, programi ekzistues është zgjeruar me 12 vende të tjera, duke e çuar në 50 numrin total të shteteve të përfshira. Ky program prek kryesisht vende në zhvillim, shumë prej tyre në Afrikë.
Masa do të hyjë në fuqi më 2 prill dhe zbatohet për vizat e tipit B1 dhe B2, të cilat përdoren për udhëtime biznesi dhe turizmi. Qëllimi i saj është të pengojë rastet kur vizitorët qëndrojnë në SHBA më gjatë se sa u lejohet nga viza.
Garancia prej 15 mijë dollarësh do t’u kthehet aplikantëve nëse ata respektojnë kushtet e vizës dhe kthehen në vendin e tyre, ose nëse nuk udhëtojnë fare.
12 vendet e reja të përfshira në këtë program janë:
Kamboxhia, Etiopia, Gjeorgjia, Grenada, Lesoto, Mauritius, Mongolia, Mozambiku, Nikaragua, Papua Guinea e Re, Seychelles dhe Tunizia.
Këto i bashkohen 38 vendeve të tjera që tashmë janë përfshirë në program: Algjeri, Angola, Antigua dhe Barbuda, Bangladesh, Benin, Butan, Botsvana, Burund, Kepi i Gjelbërt, Republika e Afrikës Qëndrore, Bregu i Fildishtë, Kuba, Xhibut, Dominika, Fixhi, Gaboni, Gambia, Guinea, Guinea Bissau, Malwia, Kirgiztan, Nigeri, Sao Tome dhe Principe, Senegal, Taxhikistan, Tanzani, Togo, Tonga, Turkmenistan, Tuvalu, Uganda, Vanuatu, Venezuela, Zambia dhe Zimbabve, raporton Departamenti Amerikan i Shtetit.
Që nga marrja e detyrës, administrata Trump ka ndjekur politika më të ashpra ndaj emigracionit, duke përfshirë deportime më të shpeshta, anulime vizash dhe kontroll më të rreptë të aplikantëve.
Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë kritikuar këto masa, duke i cilësuar si kufizuese për liritë individuale, ndërsa autoritetet amerikane i mbrojnë ato si të nevojshme për forcimin e sigurisë kombëtare.
Sipas Departamentit të Shtetit, programi i garancive ka dhënë rezultate duke ulur numrin e personave që shkelin afatet e qëndrimit me vizë në SHBA.