Rama inspekton punimet në lulishten pranë maternitetit të ri
TIRANë- Bashkia e Tiranës është pranë qytetarëve duke rritur cilësinë e jetës së tyre, duke realizuar përmes projekteve atë që nuk bën qeveria. Ndërsa ka inspektuar punimet ne lulishten e re pranë maternitetit 'Koco Gliozheni', kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama nuk ka kursyer akuzat ndaj qeverisë. Gjatë inspektimit të punimeve, Rama u shpreh: "ky projekt do të thotë një transformim rrënjësor për këtë bllok të Tiranës, që është një nga lagjet më të vjetra të kryeqytetit dhe që është shtuar me shumë familje të ardhura vitet e fundit". Rama shprehu besimin se "kjo hapësirë e re publike i jep mundësi të gjithë këtij komuniteti që të ketë një jetë sociale dhe që çon më përpara integrimin e këtij blloku brenda vetes dhe njëkohësisht edhe me Tiranën". Rikualifikimi i këtij blloku konsiston në pajisjen e sheshit me elementë të rinj, si ato të ndriçimit, të gjelbërimit me pemë të larta 3-4 metra, sipërfaqe me bar, si dhe shkurre të lllojeve të ndryshme dhe me ngjyra. Vlera e këtij projekti është 44.055.673 lekë, të cilat do të mbulohen nga buxheti i Bashkisë së Tiranës. (e.n/BalkanWeb)