Ndoka: Zgjidhja e krizës? Vendi në zgjedhje të parakohshme
TIRANE- Nëpërmjet një deklarate për shtyp kreu i PDK-së Nard Ndoka ka përshëndetur rezolutën e Asamblesë Parlamentarë të KiE duke e konsideruar atë si “një kontribut real dhe shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, pas zgjedhjeve të deformuara të 28 qershorit”.Ndoka është shprehur se ndjen keqardhje për koston që kjo krizë po i kushton politikës shqiptare,dhe thekson se “është shkaktuar nga kryeministri Sali Berisha, i cili kërkon të qëndrojë në pushtet me cdo kusht duke mos përfillur vullnetin e zgjedhësve të shprehur me votë”.Duke kërkuar hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, Ndoka ka nënvizuar se kriza do të zgjidhet vetëm atëherë kur të largohet nga pushteti Sali Berisha dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.“PDK duke mbështetur dialogun politik midis partive të opozitës dhe mazhoranës është e bindur se kriza politike nuk do të zgjidhet pa u larguar nga pushteti, kryeministri Sali Berisha, shkaktari i krizës së tanishme dhe të shumë krizave të tjera qe ka kaluar vendi në këto vite. Kjo krizë politike zgjidhet vetëm nëpërmjet hetimit të zgjedhjeve, zbardhjen e së vërtetës mbi manipulimet masive, mbi numërimin e votave dhe largimin e kryeministrit që qëndron në detyrë me vota të vjedhura. Kjo krizë politike ka vetëm një zgjidhje politike që mund të arrihet nëpërmjet një konsensusi politik për krijimin e një qeverie teknike dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme brenda këtij viti”- përfundoi Ndoka.(m.a/BalkanWeb)