Zbulohet ujësjellësi i famshëm Akua Traiana
ROME- Rrëmuarja e tokës me një shkop të trashë nuk duket si pikënisja për zbulime të mëdha arkeologjike. Kjo ama qe mënyra përmes së cilës dy arkeologë amatorë britanikë, të ndihmuar nga në specialist italian i inxhnierisë hidrike, ndeshën fillimisht në një ujësjellës të lashtë nëntokësor. Ky zbulim, i cili arkeologët mendojnë se është Ujësjellësi i famshëm Akua Traiana, ndodhet në brigjet e Liqenit Braciano, rreth 35 kilometra në veri të Romës. Për të parën herë në qindra vjet ekipi i eksploratoëve pati mundësi të vizitonte dhomat e mëdha dhe guvat e nëndheshme të cilat më parë ishin të mbuluara nga uji. Tavane në formë kubeje e punime të ndërlikuara në mure bënë që ekipi të kuptonte që kishin të bënin me një ndërtesë të stilit romak e jo me një ndërtim mesjetar, siç u mendua fillimisht. Ngjyra e lashtë blu bie ende në sy vende vende nëpër anët e kubesë kryesore, gjë e cila bëri që ekipi të besonte se bëhej flajë për një nimfarium romak, një vend i cili besohej se banohej nga Zotat e Ujit. "Ne zbritëm akoma më poshtë nën kishë e nëpër galeri e kur arritëm në fund nisëm të kuptonim se muret prej tulle të galerive fshihnin në fakt një ujësjellës antik të Romës së lashtë" tha arkeologu amator Majk O'Nil. "Ndaj nisëm të zhvillonim kërkime, nëpër arkivat dhe libraritë e ndryshme të Romës derisa gjetëm një dorëshkrim të vitit 1667 në të cilin shpjegohej me saktësi çfarë ishte ky vend". Dy arkeologët janë të bindur që ujësjellësi është ndërtuar 1,900 vjet më parë nga perandori Trajan në gjysmën e shekullit të dytë Para Krishtit. Ai furnizonte me ujë Vatikanin pas kthimit të Romës drejt Kristianizmit nën perandorin Konstantin. Më pas ujësjelli doli jashtë përdorimi për tu ripërtërirë sërisht nga Papa Pali i Pestë ndërmjet viteve 1605 - 1615. "Kur Konstantini ndërtoi Bazilikën në kodrat e Vatikanit ai përdorte ujin për të bekuar ata që ktheheshin në të krishterë ndaj ky ujësjellës ishte tepër i vyer për të" tha arkeologu Eduard O'Nil. Atë e bir kanë realizuar një dokumentar në lidhje me zbulimin nga ana e tyre të këtij ujësjellësi të lashtë e përmes shitjes së tij shpresojnë të sigurojnë fondet e nevojshme për nisjen e kërkimeve nga ana e arkeologëve profesionistë.(s.t/BalkanWeb)