E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka akuzon PD e PS për monopolizim të politikës

Kreu i grupit parlamentar të demokristianëve italianë, Quadrini shprehu vlerësime për Polin e Lirisë. Ai deklaroi se ky koalicion do të rezultojë i suksesshëm pas zgjedhjeve. Ndoka akuzoi PD e PS për monopolizim të politikës. 

TIRANE- “Poli i Lirisë është një koalicion serioz dhe do të rezultojë i suksesshëm pas zgjedhjeve të 28 qershorit” kështu ka deklaruar Giacomo Quadrini, kreu i grupit parlametar të Unionit Demokristian Italian, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe në hapjen e fushatës së PDK-së në kryeqytet.
Quadrini shprehu vlerësime për Polin e Lirisë dhe programin, i cili sipas tij nuk është libër ëndrrash por modern konkret dhe i realizueshëm.

“Jemi njohur në thellësi me programin e Polit të Lirisë. I jep një rëndësi të vecantë të rinjve, të cilët në Shqipëri janë të shumtë. Nga prezantimi i këtij programi kemi kuptuar që ky program dhe pikat më të forta të tij i japin një vëmendje të rëndësishme shtresave më të dobëta. Ne mendojmë qe ky program është modern, konkret dhe me mundësi realizimi dhe nuk prezanton një libër ëndrrash. Kjo evidenton shumë mire seriozitetin e Polit të Lirisë. Ne mendojmë se ky koalicion prezanton zgjidhjen e duhur të problemeve në vend” u shpreh Quadrini.

Përsa i përket mundësisë për një bashkëpunim konkret ndërmjet demokristianëve italjanë dhe Polit të Lirisë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit, Quadrini shprehet se kjo ishte vizitë njohjeje, e cila do te pasohet nga të tjera.

“Prezenca jonë këtu është një simbol i solidaritetit, bashkëpunimit dhe mbështetjes me bindjen e thellë që ky koalicion do te japë një ndihmë konkrete në situaten aktuale në Shqipëri. Përsa i përket ndihmës konkrete në fushatën elektorale, ne do të cojmë në Itali, te drejtuesit e partisë sonë mesazhet e koalicionit në mënyrë që UDC të ndihmojë në garantimin e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe të pastra më 28 qershor. Ne do të rikthehemi në Shqipëri shumë shpejt për të tjera hapa” deklaroi Quadrini.
Kreu i Polit të Lirisë, Nard Ndoka, gjatë një konference të përbashkët për shtyp, tha se edhe në këto zgjedhje dy partitë e medha po tentojnë të manipulojne dhe të ruajnë monopolin politik.

“Edhe në zgjedhjet e 28 qershorit dy partiitë e vjetra nëpërmjet manipulimeve synojnë të pengojnë cdo ndryshim thelbësor në politikën shqiptare. Kërkojnë të ruajnë monopolin politik dhe sundimin si alternativë qeverisjeje” u shpreh Ndoka përpara gazetarëve.

Lidhur me kodin e ri zgjedhor Quadrini tha se ai është penalizues për partitë e vogla dhe në disa pika anti demokratik. “Megjithë situatën e vështirë për shkak të kodit zgjedhor, mendoj se rezultati do te jetë shumë pozitiv për Polin e Lirisë. Garancia e lirisë për të shprehur votën dhe korrektesa në vlerësimin e votës është një e drejtë e pashmangshme” tha Quadrini. (e.n/News24/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›