E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndonjë incident se zbeh fushatën e mirë

Presidenti Fatmir Sejdiu në një mesazh në prag të zgjedhjeve të 15 nëntorit, i ka ftuar qytetarët e vendit që të dalin sa më masovikisht në zgjedhje dhe të përcaktojnë se kush do tu prijë komunave të tyre, në katër vjetët e ardhshëm.

Sejdiu ka falënderuar qytetarët për kulturën që kanë treguar gjatë një muaji sa zgjati fushata e parë parazgjedhore që pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Po kështu, u ka shprehur mirënjohjen edhe partive politike dhe kandidatëve të pavarur për kryetarë dhe këshilltarë komunalë, të cilët zhvilluan një garë dinamike dhe korrekte. Ndonjë incident sporadik, që ka ndodhur ditëve të fundit, assesi nuk e zbeh përshtypjen e mirë që është krijuar tashmë për ecurinë e deritanishme të kësaj fushate, thuhet në mesazhin e Sejdiut.

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit janë një test i madh i demokracisë për të gjithë ne, ndaj ju thërras sërish që këtë të diel, në mënyrë masive, të dilni në vendvotime dhe të përcaktoni vetë se kush do tju prijë në qytetet tuaja gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

Mosdalja në zgjedhje automatikisht, sipas presidentit, ua heq qytetarëve të drejtën e kërkimit të llogaridhënies nga ata që do të marrin mandatin për të qeverisur komunat. Andaj merrni pjesë aktive në këtë proces të rëndësishëm dhe me anë të votës së lirë jepni kontribut të drejtpërdrejtë për mënyrën dhe cilësinë e qeverisjes në komunën tuaj.

Sipas Sejdiut, këto zgjedhje janë me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit. Ato janë një test i rëndësishëm edhe për proceset e mëtejme të integrimit në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare.

Kjo e diel duhet ti dëshmojë botës se Kosova është vend stabil, se ajo krijon paqe e stabilitet në rajon dhe shërben si model i gatishmërisë për bashkëpunim të mirë reciprok me fqinjët e vet dhe me të gjitha vendet e tjera demokratike.

Megjithëse institucionet lokale e qendrore të vendit, sipas Sejdiut, ndoshta nuk i kanë përmbushur në tërësi pritjet dhe kërkesat e qytetarëve, zgjedhjet janë rasti më i mirë që të votohen kandidatët më të përgatitur dhe më të ndershëm për ti drejtuar komunat. Prandaj, dilni në zgjedhje dhe shndërrojeni 15 nëntorin 2009 në ditë feste për komunën tuaj dhe për tërë Kosovën.

Presidenti Sejdiu i ka ftuar edhe partitë politike, dhe veçmas Komisionin Qendror Zgjedhor dhe mekanizmat e tij që ta kryejnë detyrën e vet me dinjitet dhe me profesionalizëm, duke e zbatuar në tërësi Kushtetutën dhe ligjet e Republikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›