Ndoshta do të kandidoj për kryetare

Shefja e Zyrës Administrative në Veri, Adriana Hoxhiq, ka vlerësuar se zbatimi i marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë aspak i lehtë. Pavarësisht kësaj, Hoxhiq në një intervistë për “Epokën e re” është zotuar se Zyra Administrative do ta përkrahë Qeverinë e Kosovës në zbatimin e kësaj marrëveshje.
“Ky implementim do të jetë më i vështirë për Zveçanin, Leposaviqin dhe Zubinpotokun. Në këtë drejtim Zyra Administrative është në gjendje t’i ndihmojë këto komuna që ta mësojnë zanatin dhe rregulloret të cilat janë të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve për qytetarët e kësaj ane”, ka thënë Hoxhiq, duke shtuar se kjo zyrë do të luajë një rol të rëndësishëm edhe në organizimin e zgjedhjeve në veri.
“Do të japim kontributin tonë aq sa mundemi në mënyrë që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike”, deklaruar Hoxhiq. Në këtë kontekst, ajo nuk ka përjashtuar mundësinë t’i hyjë garës për kryetare të Komunës së Mitrovicës veriore. “Jemi duke e diskutuar këtë mundësi. T’ju them të drejtën, kisha pasur dëshirë të krijojmë një ambient demokratik në mënyrë që të kemi mundësi për zgjedhje të sinqerta dhe demokratike”, është shprehur Hoxhiq./Indeksonline/