Ndotja, 94 subjekte pa leje mjedisi
Rreth 94 subjekte private që ushtrojnë aktivitetin në Qarkun e Fierit, pjesa më e madhe e të cilave linja prodhimi me shkallë të lartë ndotjeje, rezultojnë pa leje mjedisore. Shefja e zyrës rajonale të Mbrojtjes së Mjedisit, Angjelina Mërtiri, është shprehur se: "shumica e këtyre subjekteve rezultojnë të paregjistruara edhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, si dhe nuk paguajnë detyrimet tatimore pranë bashkisë dhe Drejtorisë së Tatim-Taksave". Sipas Mërtirit, zyra rajonale e mjedisit ka kërkuar bashkëpunim të drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore dhe Drejtorisë së Tatim-Taksave, për detyrimin e subjekteve që të pajisen me të gjithë dokumentacionin e duhur, përfshi dhe lejen mjedisore. Ndërkohë, ajo kërcënon me bllokimin e subjekteve që janë pa leje mjedisore. Mësohet se afati që është lënë prej Agjencisë Rajonale të Mjedisit për plotësimin e dokumentacionit nga këto subjekte është java e parë e muajit qershor, ndërkohë që asnjë nga subjektet e konstatuara si pa leje mjedisore nuk ka lëvizur për të kryer këtë detyrim.