Kujtohen fëmijët-viktima mbi rrënojat e shkollave të shembura
Lot, por mbi të gjitha zemërim: prindërit kinezë kërkojnë drejtësi për fëmijët e tyre që humbën jetën si pasojë e shembjes së shkollave, për shkak të tërmetit. Në Dunjiangian, u përkujtuan dje, 200 fëmijët, viktima të tërmetit të tmerrshëm të 12 majit. Në total, në provincën e Sichuanit, janë 9 mijë nxënësit e vdekur pas shembjes së 7 mijë shkollave. Shkollat u shndërruan në rrënoja e gërmadha, në mes të godinave të tjera të mbetura në këmbë. Prindërit denoncojnë përdorimin e materialeve të skaduara dhe mungesën e respektimit të rregullave antisizmike në ndërtimin e këtyre godinave. Në thelb, sipas tyre, qëndron korrupsioni. Kërkesave të tyre për drejtësi, duhet t‘u përgjigjen tani autoritetet: Presidenti Hu Xhintao, ka siguruar një grup fëmijësh që jetojnë në kampe provizore në Sichuan, se shumë shpejt do të mund të shkojnë në shkolla të reja, më të mira. Gjashtë mijë fëmijë kanë mundur të rigjejnë prindërit e tyre pas tërmetit, por janë rreth 2 mijë ata që ende vazhdojnë të kërkojnë familjet.