E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja industriale rrit numrin e aborteve

Fier Mjekët japin alarmin, gratë që banojnë në zonat e ndotura gjithnjë e më të prirura për humbjen e fëmijëve

Shifra tronditëse të aborteve në rrethin e Fierit. Edhe pse janë kryer me dhjetëra fushata sensibilizuese me objekt planifikimin familjar dhe shmangien e aborteve, sërish shumë të tillë kryhen pranë Shtëpisë së Lindjes, në Fier. Statistikat zyrtare të drejtorisë së grupit spitalor Fier tregojnë se viti 2009 u mbyll me plot 800 aborte të regjistruara zyrtarisht. Kjo shifër e lartë abortesh që është edhe më e lartë se një vit më parë nuk përfshin numrin e atyre aborteve ilegale që kryhen pranë klinikave private të gjinekologëve të Fierit, apo dhe klinikave të ndryshme që operojnë në këtë qytet. Klinikat private nuk japin shifra të sakta të aborteve që kryejnë, edhe për shkak të mungesës së një kontrolli të rregullt nga autoritetet përgjegjëse. Në analizën vjetore të zhvilluar disa javë më parë ku mori pjesë edhe ministri Petrit Vasili leximi i statistikave të ndryshme nxori numrin e ulët të lindjeve dhe alarmin e shtimit të aborteve. Por, ndryshe nga statistikat nuk mund të shprehet edhe shefi i shtëpisë së lindjes në Fier, Besnik Ibrahimi. Ai ka pohuar se numri i lindjeve nga viti në vit bie me disa qindra lindje. “Lindjet e dy viteve të fundit për Fierin kanë qenë deri në 2200 të tilla”.

Mesatarisht pesë vitet e fundit regjistrojnë një lindshmëri foshnjore nga 2500 deri në 3000. Në fillim të viteve ’90 dhe të vitit 2000 lindjet në Fier shkonin deri dhe në 4500-5000. Me gjithë shpjegimet e ndryshme duhet thënë se është ulur edhe lindshmëria. Një nga faktorët, por jo shumë prezent është migrimi, apo dhe emigrimi”, është shprehur shefi i maternitetit të Fierit, Besnik Ibrahimi. Ajo që shqetëson edhe shefin Ibrahimi lidhet me numrin e aborteve. Ai thotë se nga 800 të tillë gjatë vitit të shkuar shumë kanë qenë të kategorisë së aborteve të pavullnetshme, pa dashjen e nënës. “Kemi aborte si pasojë e ndërhyrjes me dëshirë, si dhe aborte të pavullnetshme. Në kategorinë e dytë është regjistruar një numër i madh dështimesh. Shkaku kryesor ka qenë ndotja. Nuk ka të bëjë aspak me paaftësinë e nënës për të mbajtur fëmijën, por me pasojat si shkak i ndotjes. Abortet e pavullnetshme kanë ardhur pothuaj të gjitha nga ato gra që jetojnë pranë zonës industriale, ku dhe niveli i ndotjes paraqitet në shifra të larta. Përmendim këtu zonën naftëmbajtëse dhe naftënxjerrëse të Patos-Marinzës, pranë Uzinës së Naftës, TEC dhe Azotikut të Fierit në Uzinën e Ballshit etj”, ka shpjeguar Besnik Ibrahimi. Por, gjatë katër viteve të fundit numri i aborteve është rritur edhe në lagjet e qytetit të Fierit që shtrihen përgjatë lumit Gjanica, ku ndotja është njësoj si në zonat e naftës. Përparësia e vetme që kanë gratë e prirura për abort në Fier lidhet me lindshmërinë e tyre edhe pas kësaj “trauma” që pësojnë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›